Mbijetesa politike e Kurtit e varur në bileta aeroplani

Albin Kurti që për gati dy vjet e mbajti pushtetin në detyrë, ka shpërndarë shtesa para zgjedhjeve në përpjekje për të siguruar vota që do t’ia vazhdonin pushtetin. Mirëpo të martën ka shkuar edhe më tej, ka vendosur që 2 milionë euro t’i paguajë për bileta të mërgatës që më 25 dhjetor ia siguruan fitoren të cilën e keqshfrytëzoi.

Aleatja që dikur ia caktoi datën që dëshironte ai për zgjedhjet e funddhjetorit 2025, tash i është shndërruar në rival dhe i ka ecur mirë fushata,

Aleatja e tij kryesore atëherë presidentja Vjosa Osmani vendosi që t’ia bënte si dhuratë për Vitin e Ri që datën e zgjedhjeve ta caktonte më 28 dhjetor 2025, fiks në kohën kur në Kosovë vijnë mërgimtarët, shumica përkrahës të Albin Kurtit.

Votat e tyre ia mundësuan që pas një viti si ushtrues detyre, të siguronte 51.1 për qind të votave në ato zgjedhje, ani pse kishte bllokuar formimin e Kuvendit për shkak se i mungonte shumica prej 61 votave për emrin që donte në krye.

Me të njëjtin skenar pushteti i Kurtit ka vepruar edhe në çështjen e presidentit. Në mungesë numrash vendosi që të luante me emra për presidentin. Deri në janar e kishte si emër Vjosa Osmanin që si dhuratë për datën e zgjedhjeve e mori refuzimin nga Kurti që t’i vazhdohej mandati i dytë si presidente.

Kurti njeriu që me maskën e opozitarit u frynte fort kritikave ndaj kundërshtarëve se me shtesa e ngritje pagash po dëshironin të mbanin pushtetin, ka bërë fiks të njëjtën gjë me të ardhur vetë në pushtet.

Vetëm katër ditë para mbajtjes së zgjedhjeve më 28 dhjetor, qeveria e tij në detyrë kishte shpërndarë shtesat prej 100 eurosh për grupin e dytë të studentëve teksa javë më herët kishe shpërndarë shtesat për grupin e parë të studentët ose fiks më 6 nëntor, tre ditë para zhvillimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale. Vendimi i funddhjetorit që përfshinte rreth 400 mijë fëmijë dhe mbi 213 mijë pensionistë, i ka kushtuar buxhetit të shtetit 61 milionë euro.

Me të njëjtën mendje, Kurti ka vepruar edhe më 22 maj, dy javë para zgjedhjeve të 7 qershorit.

Në mbledhjen e qeverisë pakoja u tha se arrinte shumën e 200 milionë eurove, por Kurti nuk bëri të ditur nëse pakoja e miratuar sot kap po të njëjtën vlerë në atë që është quajtur si Pako për përballje me inflacionin 2.0.

Kurti tha se pakoja përfshin mbështetje të njëhershme prej 100 eurosh për pensionistët, fëmijët, punëtorët e sektorit privat dhe studentët aktivë.

Pra, për një periudhë prej më pak se gjashtë muaj, sipas llogaritjeve, Kurti për shtesa ka shpenzuar më shumë se 260 milionë euro.

Kurti ka theksuar se praktika e ndarjes së shtesave për fundvit është e zakonshme dhe se nuk përbën asgjë të re për qeverisjen e tij.

Mirëpo një ditë para Bajramit të Vogël, Kurti shkoi edhe më larg në përpjekje për të joshur mërgatën që të vinte për zgjedhjet e 7 qershorit.

Në orët e mbrëmjes doli vendimi nga qeveria për ndarjen e 2 milionë eurove për mbështetjen e linjave të fluturimit për destinacionet që i shërbejnë diasporës.

“Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar sot mbledhje elektronike, në të cilën ka: Ndarë mjete buxhetore në shumë prej 2,000,000.00 €(dy milionë euro), për zbatimin e Masës 4.5 ”Mbështetja e Mërgatës” të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për mbështetjen e linjave të fluturimit për destinacionet që shërbejnë mërgatën tonë”, thuhet në njoftim.

Të menjëhershme kanë qenë kritikat ndaj këtij vendimi të Kurtit.

Rama: Shteti nuk është agjenci turistike e Vetëvendosjes

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama që e ka provuar vetë bllokadën financiare nga qeveria e Kurtit, reagoi ndaj vendimit për biletat, duke e cilësuar si hajni.

“Kjo nuk është as politikë sociale as përkrahje për diasporën, kjo është kapje brutale e shtetit për interesa partiake. Kjo është hajni”, ka shkruar ai.

“Të shpenzosh miliona nga buxheti i Kosovës për të financuar ardhjen e individëve vetëm që të votojnë për një parti, është një akt i pastër abuzimi me paranë publike dhe një fyerje e rëndë për çdo qytetar që jeton, punon dhe paguan taksa në Kosovë”, ka theksuar Rama.

“Ndërkohë që qytetarët përballen me varfëri, mungesë barnash, paga të ulëta, çmime të papërballueshme dhe ikje masive të rinisë, pushteti zgjedh që paratë e taksapaguesve ti shfrytëzojë për kalkulime elektorale. Ky është degradim moral dhe institucional i shtetit”, ka thënë veç të tjerash Rama.

Bajrami akuzon qeverinë për keqpërdorim të buxhetit në prag të zgjedhjeve

Kandidatja për deputete nga LDK, Hykmete Bajrami, ka akuzuar qeverinë për keqpërdorim të buxhetit në prag të zgjedhjeve, duke thënë se po ndahen 2 milionë euro për linjat ajrore që i shërbejnë mërgatës, për përfitime elektorale.

Ajo u shpreh se këto mjete janë para të qytetarëve që po përdoren në mënyrë të padrejtë dhe me qëllim ndikimi në vota.

“E turpshme. E papranueshme. Keqpërdorim klasik i buxhetit në kohë zgjedhjesh. Para një jave ndau rreth 100 milionë euro. Sot edhe 2 milionë të tjera për bileta. 100-she, 500-she, subvencione e bileta – krejt këto jo pse Kurti brengoset për ju, po sepse ju votoni me 7 qershor. Mos harroni: këto janë paratë e rrugëve që nuk u kryen, shkollave e çerdheve që nuk u ndërtuan, digjitalizimit të arsimit që nuk nisi asnjëherë, barnave që mungojnë në spitale dhe naftës që e keni paguar më shtrenjtë”, shkroi ndër tjerash ajo.

Kajtazi me reagim të ashpër pas vendimit të Qeverisë

Gazetari e analisti Vehbi Kajtazi ka reaguar pas vendimit të fundit të Qeverisë në detyrë për ndarjen e dy milionë eurove për fluturimet e mërgatës.

“Nese kjo shoqni qe paguan taksa e duron edhe kete krim te ketij hajni, atehere e paçim ne pushtet sa te kete jete. Ky hajn, eshte aq i guximshem saqe krejt taksat tona t’i vjedhe per interesa te tij elektorale”, ka thënë Kajtazi në reagimin e tij.

Ai ka tërhequr një paralele, duke thënë se në QKUK ka mungesë të barnave, për shkak që sipas tij janë vjedhur taksat.

“Nderkohe, ne QKUK dergjen pacient ne mungese te barnave, sepse ky hajn ka vendos qe taksat tona me i vjedh. Hanj i flliqt!”, thuhet në postimin e Kajtazit.

Shpërndarja e parave të shtetit gjatë fushatave është përpjekje e partive autoritare dhe nuk është asgjë e re. Jo fort larg, para dy vjetësh në Poloni, partia për Ligj dhe Drejtësi (PiS) kishte shpërndarë disa çeqe dhe fonde publike nëpër komuna gjatë periudhës së zgjedhjeve. Kjo parti ka rënë nga pushteti dhe Polonia tani qeveriset nga partitë properëndimore të prira nga Donald Tusk.