Kongresistët amerikanë në qeveri, nis takimi me Kurtin

Dy kongresistë amerikanë, Keith Self dhe Suhas Subramanyam, kanë nisur një vizitë në Kosovë dhe rajon, ku po zhvillojnë takime me përfaqësues institucionalë dhe po informohen për çështjet e pakicave dhe zhvillimet politike në Ballkanin Perëndimor.

Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni amerikan ka shkuar në qeveri ku po zhvillon një takim me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

Derisa gjatë ditës së djeshme, ata qëndruan në Luginën e Preshevës.

Gjatë vizitës atje, kongresisti Keith Self theksoi se ekzistojnë probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë. Ai shtoi se qëllimi i vizitës së tyre është të kuptojnë më mirë situatën e pakicave në rajon, si në Luginën e Preshevës ashtu edhe në Kosovë.

“Kemi parë se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, siç edhe e kemi ditur. Por, do të shkojmë edhe në Kosovë për të mësuar për pakicën serbe atje. Pra, po i vizitojmë të dyja vendet për të kuptuar se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre”, tha Self.
Ndërkohë, kongresisti demokrat Suhas Subramanyam ngriti çështjen e pabarazive në arsim dhe zhvillim që, sipas tij, prekin shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Nga ana tjetër, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, vlerësoi vizitën si dëshmi të rritjes së vëmendjes ndërkombëtare ndaj çështjes së shqiptarëve në këtë rajon. Edhe deputeti Shaip Kamberi theksoi se Serbia nuk po zbaton për shqiptarët standardet që kërkon për serbët në Kosovë.