Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, tha se “nëse” ai arrin një marrëveshje me Iranin, ajo do të ndryshojë nga ajo e arritur nën ish-presidentin Barack Obama, duke thënë se “është krejt e kundërta, por askush nuk e ka parë ose nuk e di se çfarë është”.
“Nëse bëj një marrëveshje me Iranin, ajo do të jetë e mirë dhe e duhur, jo si ajo e bërë nga Obama”, tha ai në një postim në Truth Social, duke thënë se ajo marrëveshje i dha Iranit “një rrugë të qartë dhe të hapur drejt një Arme Bërthamore”, tha ai, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.
Ndërsa tha se marrëveshja e tij do të ndryshonte shumë nga Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit i negociuar gjatë administratës Obama dhe këmbënguli se do të ishte “e kundërta”, Trump tha se askush nuk i di detajet e plota dhe marrëveshja “nuk është negociuar ende plotësisht”.
“Marrëveshja jonë është krejt e kundërta, por askush nuk e ka parë ose nuk e di se çfarë është. Nuk është negociuar ende plotësisht. Pra, mos i dëgjoni humbësit, të cilët janë kritikë për diçka për të cilën nuk dinë asgjë. Ndryshe nga ata para meje që duhet ta kishin zgjidhur këtë problem shumë vite më parë, unë nuk bëj marrëveshje të këqija!”.








