Kuvendi zgjedhor: AAK e Haradinajt, tash n’duart e Gjinit (VIDEO)

Nga froni i partisë që e themeloi e udhëhoqi vetë, zbriti pas një çerekshekulli.

Ramush Haradinaj, la të dielën drejtimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pas 25 vjetësh.

Në atmosferë kujtimesh e duartrokitjesh, 570 delegatë e mbështetës u mblodhën të dielën për ta mbyllur epokën e tij në AAK.

Kuvendi i 10-të nuk solli veç udhëheqësin e ri, por edhe një moment simbolik të dorëzimit të stafetës nga ish-komandanti i Dukagjinit.

Dy herë ish-kryeministri fjalimin përshëndetës me përkrahësit e pati goxha emocional.

Por, tha se Aleancën do ta lë më të fortë e në duar të sigurta.

Largimi i Haradinaj, ia nxori lotët Besnik Tahirit, atij që i qëndroi afër gjatë rrugëtimit politik.

E ai që tash në dorë e ka timonin e subjektit politik, Ardian Gjini tha se punën do ta bëjë me nder e jo fjalë.

Në këtë Kuvend, u zyrtarizua edhe Këshilli i ri i Përgjithshëm, teksa u ndryshua edhe statuti që e bënë Ramush Haradinaj, kryetar nderi të formacionit që u krijua më 2001.