Hamza takon profesionistët shëndetësorë: T’i themi stop krizës

Kryetari dhe kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka takuar sot qindra profesionistë shëndetësorë nga mbarë vendi, ku ka theksuar se shëndetësia do të jetë një nga prioritetet kryesore të qeverisë së udhëhequr nga ai.

Hamza tha se Kosova po përballet me një krizë të thellë ekonomike dhe sociale, e cila po reflektohet drejtpërdrejt edhe në sektorin e shëndetësisë, tek profesionistët dhe tek qytetarët.

“Kur sistemi shëndetësor nuk funksionon si duhet, pasojat nuk maten vetëm me statistika. Ato maten me ankthin e familjeve, me pritjet e gjata, me mungesën e barnave, me lodhjen e mjekëve dhe infermierëve, me qytetarët që paguajnë gjithnjë e më shumë nga xhepi i tyre dhe me të rinjtë që po largohen nga vendi”, tha Hamza.

Ai theksoi se profesionistët shëndetësorë do të jenë partnerët kryesorë në transformimin e sistemit shëndetësor dhe premtoi investime në infrastrukturë moderne, paga më të mira, pajisje mjekësore, zgjerim të shërbimeve dhe kushte më të mira pune për stafin.

“Pas 7 qershorit, shëndetësia do të jetë prioritet kombëtar i qeverisë sonë. Jo vetëm në fjalë, por në investime, me paga më të mira, reforma konkrete dhe mbështetje për profesionistët shëndetësorë. Qytetarët kanë nevojë për një sistem që funksionon për ta”, deklaroi lideri i PDK-së.

Hamza tha se një shtet që investon në shëndetësi, investon në jetën dhe sigurinë e qytetarëve të vet.

“Prandaj, më 7 qershor, le ta bëjmë bashkë ndryshimin. Për profesionistët shëndetësorë. Për pacientët. Për familjet tona. Për Kosovën që meriton më shumë. Ta ndalim krizën. Ta rikthejmë dinjitetin. Ta ndryshojmë edhe shëndetësinë, edhe Kosovën”, shtoi ai.