Gjatë debatit për kredibilitetin e listave të kandidatëve të partive politike për zgjedhjet e 07.06.2026, ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka thënë se përgjegjësia morale e kandidatëve ndaj qytetarëve mbetet e rëndësishme.
Daka potencoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte zbatuar për herë të parë në vitin 2021 dispozitat ligjore që ndalonin kandidimin e personave të dënuar në tri vitet e fundit.
“KQZ-ja për herë të parë në vitin 2021 me sa më kujtohet e ka zbatu ligjin i cili në atë kohë ka thënë që çdo person i cili është i dënuar në tre vitet e fundit nuk mundet me qenë pjesë e listave të cilitdo subjekt politik.”– tha Daka.
Sipas saj, kjo pati sjellë reagime të shumta, sidomos te subjektet që kishin zyrtarë me dënime të plotfuqishme.
“Kjo ka ngritur në atë kohë debat të mëdha, po edhe moskënaqësi, sidomos nga partia e cila është prek atëherë shumë, sepse krerët e asaj partie kanë qenë të gjithë me dënime të plotfuqishme dhe nuk kanë mundur me marrë pjesë në zgjedhjet e vitit 2021. Megjithatë, ajo shtoi se kandidimi i personave me aktakuza ngre dilema etike.” – shtoi tutje ajo në emisionin “Kallxo Përnime”.
Daka shtoi se më vonë kishte pasur edhe pengesa juridike për zbatimin e këtyre dispozitave, duke përmendur në debat një aktgjykim të Gjykatës Supreme të Kosovës.
“KQZ-ja në fakt e ka pasur obligim ligjor gjithmonë që ta zbatojë këtë dhe ka tentu edhe një herë me e zbatu, mirëpo ka qenë atëherë, nëse ju kujtohet një aktgjykim i Gjykatës Supreme, i cili ka qenë për mua aktgjykim fatkeq, i cili na ka ndalu këtë dhe pastaj KQZ-ja nuk e ka zbatuar ligjin në atë drejtim. Këtu po flas për aktgjykime të formës së prerë. Ajo sqaroi se ndalimi ligjor vlen për personat e dënuar me aktgjykime të formës së prerë, ndërsa për rastet me aktakuza vlen parimi kushtetues i prezumimit të pafajësisë.” – potencoi Daka.
Megjithatë, ajo tha se përtej aspektit penal ekziston edhe përgjegjësia morale e kandidatëve ndaj qytetarëve që kërkojnë t’i përfaqësojnë.
“Kur flasim te listat zgjedhore besoj që kemi një lloj përgjegjësie morale më tepër se atë penale sepse për penale tashmë e dimë që nuk munden me qenë pjesë e listave po është edhe përgjegjësi morale ndaj atyre të cilët do të dalin të votojnë.” – u shpreh Daka.
Tutje, sipas Dakës, kandidatët që përballen me aktakuza duhet të reflektojnë kur kërkojnë votën e qytetarëve të Kosovës.
“Nëse unë pretendoj të bëhem deputet në parlament dhe ta përfaqësoj popullin, ndërsa në ndërkohë përplasem me aktakuza për vepra penale, sa është e moralshme që unë ta kërkoj votën e qytetarëve?” – deklaroi Valdete Daka.
Ajo foli edhe për “dëshirën” për kapjen e prokurorisë.
“Nuk e di nëse qytetarët e kuptojnë sa e frikshme është dëshira për kapjen e prokurorisë. Nuk janë të vetëdijshëm që, kur kapet prokuroria e një shteti, praktikisht e ke kapur shtetin”- ka thënë ajo.









