Ardian Gjini ka folur para delegatëve në kuvendin zgjedhor të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, para se të marrë drejtimin e partisë.
Ai ka theksuar se AAK nuk fillon nga e para, por nga një bazë e ndërtuar ndër vite me besim dhe punë të përbashkët.
“Vëllezër e motra, unë besoj fort se gjithçka që po flasim sot është e arritshme. Ne nuk jemi duke u nisur prej tokës, por prej një ndërtese të jashtëzakonshme që e kemi ndërtuar me ty kryetar. Jemi duke u nisur prej besimit që e kemi për Kosovën, që nuk jemi duke u mashtruar, nuk jemi duke folur gjëra të pavërteta. Nuk jemi duke u nisur prej zeros dhe kjo na jep forcë”, tha Gjini.
Ai ka shtuar se AAK dhe Kosova kanë potencial për zhvillim, duke përmendur edhe sloganin e partisë.
“Kosova ka njerëz, Aleanca ka njerëz. Energji, siguri dhe zhvillim është slogani ynë. Faleminderit shumë për besimin, jam i lumtur që jam një prej jush”, ka deklaruar ai./Klankosova.tv









