Ardian Gjini po flet në Kuvendin zgjedhor të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ku pritet të marrë drejtimin e partisë pas Ramush Haradinajt.
Para të pranishmëve, ai ka shprehur mirënjohje dhe falënderim për besimin dhe për udhëheqjen e gjatë të Haradinajt në krye të AAK-së.
Gjini ka theksuar se është nder të jetë pjesë e këtij kuvendi dhe e kësaj partie, duke thënë se ndihet i emocionuar për përgjegjësinë që pritet të marrë.
“Është nder të jesh në këtë kuvend tuajin të jashtëzakonshëm, në kuvendin e dhjetë është krenari me qenë një prej jush, është krenari me qenë pjesë e kësaj partie kaq të jashtëzakonshme. Shumë faleminderit secilit prej jush, jam i emocionuar edhe unë sikurse ju. Dhe pavarësisht faktit, kur dalim me fol në këto momente dhe na rregullojnë fjalimet, prapë duhet me nis diçka ndryshe. Dhe po e nisi me një pyetje të çuditshme: a është politika altruizëm? Çka do të thotë altruizëm? Është me pas një njeri që jep gjithçka për vendin, për kombin, për njerëzit që e rrethojnë, por nuk lyp asgjë në kthim. Dhe po ju tregoj që bota e mençur ka vendos moti që nuk është krejt ashtu, por e ka vendos në binare normale. Dhe ata që krejt kohën thonë se janë altruistë, faktikisht janë krejt e kundërta”.
“Në botë ka altruizëm, dhe të vërtetit janë luftëtarët e lirisë. Kushdo që është nisur me luftu për vendin e vet pa rrogë, jo i rekrutuar, por vullnetar, ai e ka treguar momentin e vërtetë të altruizmit, sepse ka shku për vendin, për popullin e vet, pa e ditur nëse do të marrë ndonjëherë diçka, duke rrezikuar gjithçka që ka pasur.
Dhe prapë po ju tregoj pse e nisa kështu: sepse kemi mbërritur si popull në një moment ku mohohet altruizmi i vërtetë i njerëzve që kanë dhënë gjithçka për vendin e vet, dhe mashtrohet opinioni me altruizëm fals. Po e lypi besimin tuaj pas Ramush Haradinajt, duke e ditur që Ramush Haradinaj nuk ka qenë vetëm kryetar partie, por simbol i Kosovës, i lirisë, por edhe simbol i politikës së mençur dhe normale që ka ndodhur në Kosovë për 30 vjet, edhe më shumë, edhe për vitet që ndoshta ne nuk i dimë. Për 26 vjet që kam shërbyer nën udhëheqjen tënde, nuk ia kisha hequr asnjë minutë, nuk do ta ndërroja asnjë minutë të punës sime, jam absolutisht i bindur, krejt kolegët tanë e kanë bërë nën udhëheqjen tënde. Faleminderit kryetar”, tha Gjini./Klankosova.tv









