Lidhja Demokratike e Kosovës ka kujtuar zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale të mbajtura më 24 maj 1992, duke i cilësuar si një ndër momentet më të rëndësishme të fillimit të demokracisë në Kosovë.
Në një postim në Facebook, LDK ka theksuar se këto zgjedhje shënuan pikënisjen e rrugës së gjatë për liri, pavarësi dhe demokraci, nën parullën “Kosova Republikë”.
“Ngjarja e 24 majit të vitit 1992 shënon një ndër momentet më të rëndësishme të fillimit të demokracisë së shtetit të Kosovës. Pikërisht para 34 vitesh, më 24 maj, u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale në Kosovën e trazuar nga lufta që po afrohej pashmangshëm. Këto zgjedhje ishin pikënisja dhe zanafilla e rrugës së gjatë për liri, pavarësi dhe demokraci nën maksimën ‘Kosova Republikë’”, thuhet në postim.
Në këtë postim, LDK ka vlerësuar gjithashtu figurën e ish-presidentit Ibrahim Rugova, duke e cilësuar atë si udhërrëfyes dhe prijës shpirtëror të popullit të Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.
“Ashtu siç kishin karakter historik këto zgjedhje, historik ishte edhe procesi i zgjedhjes plebishitare të Presidentit Dr. Ibrahim Rugova. Ai u bë udhërrëfyes, misionar dhe prijës shpirtëror i mbarë popullit në rrugën për liri, pavarësi dhe demokraci, si dhe në miqësi të përhershme me SHBA-në dhe miqtë tanë ndërkombëtarë.
Figura e Presidentit Rugova është e pazëvendësueshme; ai për më shumë se dy dekada udhëhoqi popullin e tij në rrugën për ta fituar lirinë dhe për të formuar shtetin demokratik. Populli i Kosovës sot feston 24 majin si Ditën e Presidentit, duke nderuar kështu veprën historike të atit themeltar të shtetësisë së Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova – figurën emblematike të shtetit tonë dhe arkitektin e pavarësisë që e gëzojmë sot”, thuhet në reagimin e LDK-së.









