Kandidati i PDK-së për deputet, Arben Gega, ka deklaruar se opozita duhet të jetë më e zëshme dhe më aktive në Kuvend, duke thënë se personalisht do të fokusohet në çështjet ku ka përvojë profesionale, veçanërisht në sektorin privat, digjitalizim dhe zhvillim lokal.
Ai tha se do të angazhohet për thjeshtimin e procedurave administrative, digjitalizimin e shkollave dhe komunave, si dhe për mbështetjen e odave profesionale të inxhinierëve, arkitektëve dhe gjeodetëve.
“Kam me u mundu me qenë zë shumë i fuqishëm në fushën çka unë kam njohuri. Te sektori privat, te thjeshtimi i procedurave, te digjitalizimi i shkollave, te digjitalizimi i komunave”, deklaroi Gega.
Ai kritikoi mënyrën se si, sipas tij, institucionet aktuale fokusohen në deklarata publike për çështje rutinore, në mungesë të rezultateve konkrete.
“Nuk ka nevojë me marrë tupanin ‘e bëna këtë-atë’. A ke parë sa banale del ministri që e ka taku zëvendësministrin, edhe bën deklaratë publike”, tha ai.
Sipas Gegës, institucionet shpesh promovojnë si sukses detyra që janë pjesë normale e funksionimit të administratës.
“Ministria thotë mbasnesër kanë me u lëshuar pensionet, pastaj thotë ‘u lëshuan pensionet’. Po gjithmonë janë lëshuar pensionet”, u shpreh ai.
Kandidati i PDK-së tha se edhe në rast se partia e tij formon qeverinë, ai do të jetë kritik për çështjet që lidhen me ekonominë dhe zhvillimin.
“Ka me qenë zë i fuqishëm edhe për prodhimin e ligjeve të reja, për me i shty proceset sa i përket sektorit privat përpara”, deklaroi ai.
Gega foli edhe për problemet me infrastrukturën dhe vonesat institucionale, duke thënë se sektori privat shpesh detyrohet të kryejë vetë investime bazike si rrugë, kanalizim dhe ujësjellës.
“Ne detyrohemi shpesh me bë kanalizim e ujësjellës vetë. Pavarësisht që e paguan taksën e infrastrukturës kur e merr lejen, vonesat e komunës dhe të buxhetit të detyrojnë me e bë edhe rrugën vetë”, tha ai.
Sipas tij, zhvillimi i vendit lidhet drejtpërdrejt me fuqizimin e nivelit lokal dhe me krijimin e kushteve më efikase për bizneset dhe qytetarët.









