Policia e Kosovës ka ndaluar një person të dyshuar në zonën e Bjeshkëve të Istogut, pasi gjatë kontrollit është konstatuar se po transportonte kafshë pa dokumentacionin e nevojshëm.
Sipas raportit policor, ngjarja ka ndodhur më 23 maj 2026, rreth orës 19:25, kur autoritetet kanë ndaluar një automjet tip furgon të drejtuar nga një mashkull i dyshuar, raporton KlanKosova.tv.
Gjatë kontrollit, në automjet janë gjetur 27 krerë qingja, për të cilat i dyshuari nuk ka poseduar dokumentacionin përkatës.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa kafshët përkohësisht i janë lënë në përkujdesje të të dyshuarit. Ndërkohë, furgoni është konfiskuar nga policia.
“Bjeshkët e Istogut 23.05.2026–19:25. Është ndaluar një i dyshuar m/k me automjetin e tij furgon në të cilin ishte duke transportuar 27 krerë qingja për të cilat nuk ka poseduar dokumentacion përkatës. Është njoftuar prokurori dhe kafshët i janë lënë në përkujdesje të dyshuarit për një kohë të pacaktuar, ndërsa furgoni është konfiskuar. Rasti është duke u hetuar”.









