Të shtëna pranë Shtëpisë së Bardhë

Dhjetëra të shtëna armësh janë dëgjuar pranë Shtëpisë së Bardhë të shtunën, duke shkaktuar alarm të menjëhershëm sigurie dhe ndërhyrje të Shërbimit Sekret të SHBA-së, shkruan CNN.

Shërbimi Sekret ka bërë të ditur se po heton raportimet për të shtëna në kryqëzimin e 17th Street dhe Pennsylvania Avenue Northwest, zonë që ndodhet vetëm pak metra jashtë kompleksit presidencial.

Stafi i mediave u largua me shpejtësi nga North Lawn dhe u fut në sallën e informimit për shtyp brenda Shtëpisë së Bardhë. Brenda objektit, gazetarëve iu kërkua të strehoheshin, ndërsa agjentët dëgjoheshin duke bërtitur “përkuluni” dhe duke paralajmëruar për rrezik nga të shtëna.

Një gazetar tha se zhurmat dukeshin se vinin nga ana e ndërtesës Eisenhower Executive Office Building, pjesë e kompleksit presidencial.

Agjentë të armatosur të Shërbimit Sekret u panë duke lëvizur në zonën përreth dhe duke bllokuar sallën e shtypit. Pak më vonë, masa e izolimit u hoq rreth orës 18:45 sipas kohës lokale në SHBA.

Presidenti Donald Trump ndodhej në rezidencën e Shtëpisë së Bardhë në momentin e incidentit. Autoritetet ende nuk kanë dhënë detaje të plota mbi natyrën e ngjarjes.

Gazetarja e ABC News, Selina Wang, publikoi video ku dëgjohej momenti i të shtënave dhe reagimi i menjëhershëm i stafit mediatik.

Hetimet janë në vazhdim dhe pritet që autoritetet të dalin me informacione të reja./indeksonline