Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Irani është “duke u afruar gjithnjë e më shumë” me arritjen e një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara lidhur me luftën, ndërsa edhe Teherani ka sinjalizuar se gjatë javës së kaluar është bërë përparim në bisedime.
Megjithatë, të dy palët kanë treguar kujdes në deklarata, ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit ka theksuar se çështja e armëve bërthamore nuk do të jetë pjesë e propozimeve fillestare të marrëveshjes.
Trump, në një intervistë për CBS News, partnerin amerikan të BBC-së, tha se kishte parë një draft-marrëveshje me Iranin. I pyetur nëse ajo ishte e mjaftueshme, ai u përgjigj: “Nuk e di, nuk mund t’jua them këtë”, transmeton Klankosova.tv.
Presidenti nuk dha detaje të mëtejshme rreth draftit, por këmbënguli se çdo marrëveshje do të parandalonte “absolutisht” Iranin nga sigurimi i armëve bërthamore.
“Do të nënshkruaj vetëm një marrëveshje ku marrim gjithçka që duam,” tha ai. “Ose do të kemi marrëveshje, ose do të kemi një situatë ku asnjë vend nuk do të goditet aq rëndë sa do të goditet Irani.”
Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, deklaroi në televizionin shtetëror të shtunën se qëndrimet e ShBA-së dhe Iranit janë afruar gjatë javës së fundit, por paralajmëroi se kjo nuk do të thotë se do të arrihen marrëveshje për çështjet kryesore.
Ai gjithashtu akuzoi palën amerikane për “deklarata kontradiktore”.









