Deklaratat e Osmanit kundër Kurtit interpretohen si pasojë e prishjes së bashkëpunimit politik

Deklaratat e ish-presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për mungesë transparence në takimet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe ish-emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak, kanë nxitur reagime në skenën politike.

Osmani ngriti dyshime për takimet e mbyllura mes tyre, ndërsa njohës të politikës i lidhin këto deklarata me prishjen e bashkëpunimit politik mes saj dhe Kurtit.

Ish-deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, tha për Ekonomia Online se mbetet e paqartë se ku ka ndodhur prishja e raportit politik mes Kurtit dhe Osmanit.

“Tash, në momentin që ka ndodhur ngjarja, këta kanë qenë në koalicion. Zoti Kurti me zonjën Osmani kanë qenë në koalicion. Se ku ka krisur ky koalicion, unë nuk po shoh qartësi as nga ana e Vjosa Osmanit, as nga ana e Albin Kurtit. Këta duhet me e qartësua pozicionin se ku ka ndodhur dhe pse ka ndodhur krisja. Unë po e shoh që, bile-bile po jam pak e rezervuar mbas këtij shkurorëzimi politik, po e shoh që janë të rezervuar dhe nuk ishte dashur të flasin, ose të flasin në tërësi se çfarë ka ndodhur, ose të mos flasin fare. Por megjithatë, është e drejta e gjithsecilit. Tash, meqenëse po garojnë veçmas, është e drejta e gjithsecilit që me u deklarua, me saktësua dhe me e precizu se ku ka qenë ngecja edhe për çfarë është prishur ky koalicion që e paskan menduar aq afatgjatë”, u shpreh ajo.

Kadrijaj komentoi edhe deklaratat e mëhershme për një bashkëpunim afatgjatë mes Kurtit dhe Osmanit.

“Po, ata paskan pasur koalicionin. Kur është nënshkruar ajo marrëveshja e famshme që ka ndodhur në një holl të Kuvendit, ata paskan pasur marrëveshje që ky koalicion të vazhdojë edhe për 15 vjet. Mirëpo, çfarë ka ndodhur ndërkohë, vërtet nuk e kam të qartë as të saktë. Mirë është me e qartësu edhe Albin Kurti, po edhe Vjosa Osmani”, thotë ajo.

Ndërsa, analisti politik Afrim Kasolli për Ekonomia Online vlerësoi se deklaratat e fundit duhet parë edhe në kontekstin e fushatës zgjedhore.

“Tash, unë mendoj që çdo gjë që po ndodh kohëve të fundit është në kuadër të fushatës elektorale. Koalicioni mes tyre ka funksionuar për një kohë, por krisjet kanë qenë të dukshme qysh moti, sidomos për çështjen e dialogut dhe raporteve me ndërkombëtarët. Presidentja po dëshiron me u distancu prej vendimeve të kryeministrit që kanë sjellë sanksione apo ftohje të raporteve me Amerikën, prandaj edhe po i përmend këto takime tash në prag të zgjedhjeve”, tha Kasolli.

Ai foli edhe për pozicionimin e Osmanit gjatë mandatit presidencial. “Ajo është përpjekur me u tregu e paanshme, por background-i (prapavija) e saj politike dihet. Sidoqoftë, për hir të stabilitetit shtetëror, ndoshta ka heshtur më herët, por tash është koha kur secili duhet me llogaritë e veta me dalë para sovranit”, shton ai.

Gjatë një tubimi me qytetarë në lagjen “Dardania”,  në Prishtinë, Osmani kritikoi mungesën e transparencës për takimet e Kurtit me Vuçiqin dhe Lajçakun. “Pyetja është: çfarë ka folur ai me Vuçiçin dhe Lajçakun brenda një dhome? Çfarë është diskutuar aty, askush nuk e di. Nuk kanë treguar kurrë se për çfarë kanë biseduar. A ju kanë treguar juve ndonjëherë si opozitë? Kurrë…”, tha Osmani gjatë tubimit në Prishtinë.