Sekuestrohen rreth 8 kilogramë ari dhe argjendi në Prizren, vlera mbi 460 mijë euro

Rreth 8 kilogramë ari dhe argjend janë sekuestruar në Prizren, me vlerë mbi 460 mijë euro.

Sipas komunikatës së Prokurorisë Themelore, hetimet kanë nisur që nga 19 shtatori 2025, ndërsa më 20 maj 2026, me urdhër të prokurorit të rastit, janë realizuar kontrolle në gjashtë lokale afariste dhe tri shtëpi banimi në qytetin e Prizrenit.

Autoritetet veprimet i kanë bazuar në dyshimin se disa biznese që merren me shitjen e arit janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, duke iu shmangur detyrimeve doganore dhe tatimore lidhur me tregtimin e arit dhe argjendit.

Gjatë aksionit janë sekuestruar gjithsej 3.775,33 gram ari i padeklaruar, me vlerë të përafërt prej rreth 455 mijë eurosh, si dhe 4.204,98 gram argjend i padeklaruar, me vlerë rreth 8.900 euro.

Po ashtu, gjatë kontrolleve në dy lokacione të ndryshme janë gjetur dhe sekuestruar edhe dy armë pa leje, ndërsa ndaj katër personave është iniciuar rast për veprat penale “Shmangia nga tatimi” dhe “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore”.

Ndërkaq, për armët e sekuestruara është iniciuar rast i veçantë për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se hetimet për rastin janë duke vazhduar.