NATO po i ndjek me kujdes paralajmërimet e institucioneve të Kosovës për formimin e xhandarmërisë, deklaroi një zyrtar i NATO-s për portalin serb “Kosovo Online”, duke shtuar se presin që organizatat e sigurisë në Kosovë të vazhdojnë me qasje bashkëpunuese, duke u koordinuar me KFOR-in me qëllim të sigurisë dhe stabilitetit rajonal.
“Po i përcjellim me kujdes deklaratat e institucioneve në Kosovë lidhur me këtë çështje. U takon atyre të komentojnë më hollësisht”, ka thënë një zyrtar i NATO-s i pyetur për formimin e xhandarmërisë së Kosovës, transmeton Paparaci.
Në përgjigje shtohet se NATO vazhdon të bashkëpunojë me të gjitha organizatat e sigurisë në Kosovë dhe të japë kontributin e saj për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë.
Po ashtu theksohet se që nga viti 1999, KFOR-i siguron një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në rolet e tyre përkatëse të forcave të sigurisë.
Gjithashtu, në përgjigje thuhet se Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s (NALT) mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, përmes ngritjes së kapaciteteve, koordinimit të arsimit dhe trajnimeve.
“Presim që organizatat e sigurisë në Kosovë të vazhdojnë me këtë qasje bashkëpunuese, duke u koordinuar me KFOR-in për të kontribuar në sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal, në dobi të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, ka shtuar ky zyrtar i NATO-s.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës në detyrë teknike, Xhelal Sveçla, dy ditë më parë nënshkroi vendimin për themelimin e Grupit Punues që do të bëjë analizën dhe do të propozojë modalitetet për funksionimin e Xhandarmërisë së Kosovës, si agjenci e këtij ministrie.
Një ditë më vonë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, paralajmëroi se së shpejti do të publikohen informacione lidhur me formimin e xhandarmërisë, duke theksuar se kjo ide po shqyrtohet prej kohësh.
Në bisedë me zyrtarin e NATO-s, Kevin Hamilton, Kurti tha se ekziston nevoja për një strukturë të tillë për forcimin e sigurisë dhe koordinimin me KFOR-in dhe NATO-n në këtë drejtim./Paparaci.com









