MPJ-ja e Maqedonisë së Veriut i dorëzon demarsh verbal Ambasadës shqiptare

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar zyrtarisht për “Euronews Albania” se sot ka thirrur ambasadorin e Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, lidhur me deklaratat e tij publike gjatë periudhës së fundit.

Nga MPJ e RMV-së bëjnë të ditur se në takim nuk ka marrë pjesë ambasadori, por zëvendësi i tij.

“I është dorëzuar një demarsh verbal lidhur me deklaratat e papërshtatshme publike të ambasadorit gjatë periudhës së fundit, të cilat lëvizin në kufirin mes komunikimit të zakonshëm dhe legjitim diplomatik dhe ndërhyrjes së mundshme në punët e brendshme të vendit të akreditimit”, thuhet në deklaratën zyrtare të MPJ-së së Maqedonisë së Veriut.

Reagimi i MPJ-së maqedonase vjen pas një sërë deklaratash publike të ambasadorit shqiptar, në mbrojtje të studentëve shqiptarë në RMV që kërkojnë provimin e jurisprudencës në shqip, që janë cilësuar nga MPJ-ja e RMV-së si përzierje në punët e brendshme të shtetit.

Ndërkohë pala shqiptare, sipas “Euronews”, ka shprehur në takim shqetësimin për trajtimin e papërshtatshëm të rreth 40 studentëve shqiptarë që ishin në autobusin që u nis nga Tirana për të marrë pjesë në protestën në e studentëve shqiptarë në Shkup.