Përparim Gruda: Ne jemi nën qeverisjen e një qeverie që është populliste

Kandidati për deputet nga PDK-ja, Përparim Gruda, ka kritikuar qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se një mandat i ri i tij do të rrezikonte funksionimin e disa institucioneve të pavarura në vend.

Në emisionin “VV Show” të gazetarit Vehbi Kajtazi, Gruda deklaroi se sipas tij po synohet kapja e institucioneve të drejtësisë dhe atyre të pavarura.

“Nëse ne si shoqëri ia japim edhe një mandat Albin Kurtit, fiksohem që disa prej këtyre shtyllave nuk do të mbijetojnë, sepse po e shihni. Do të flasim besoj për kapjen e Prokurorisë që synohet, të AKI-së, institucioneve të pavarura dhe universitetit”, ka deklaruar Gruda.

Ai ka komentuar edhe një mirënjohje të ndarë për kryeministrin Kurti nga rektori i Universitetit të Prishtinës, duke e cilësuar veprimin si të papërshtatshëm.

“Është turp, për shembull, që rektori i Universitetit të Prishtinës i jep mirënjohje Albin Kurtit që është në pushtet. Edhe po ta meritonte mirënjohjen Albin Kurti, ai rektor për dinjitet është dashur me ia dhënë mirënjohjen kur ta kryente mandatin”, është shprehur ai.