Inteligjenca artificiale do të ndihmojë arbitrat kryesorë dhe ata anësorë në Botërorin 2026. Për turneun do të krijohen avatarë 3D për të gjithë, 1248 futbollistët, me synimin për ta bërë më të saktë dhe qartë vizualizimin e pozicionit jashtë loje. Siluetat digjitale do të riprodhojnë pamjen reale të lojtarëve dhe do t’iu ofrojnë shikuesve pamje shumë më të kuptueshme në ekran.
Pierluigi Collina, drejtues i sektorit të arbitrimit në FIFA, sqaroi se teknologjia nuk do ta zëvendësojë rolin e anësorëve: “Do të kemi gjithmonë nevojë për ndërhyrjen njerëzore për të përcaktuar nëse një aksion është i dënueshëm apo jo. Kjo është vetëm një mbështetje për të marrë vendime sa më të sakta. Skeleti i sportistëve nuk është i njëjtë për të gjithë, ndaj sistemi do të personalizohet sipas gjatësisë, volumit trupor, madje edhe gjatësisë së këmbës”.
Sipas Valerio Rizzo të “Lenovo”, gjatë grumbullimeve të kombëtareve lojtarët do të skanohen me teknologji 3D dhe algoritme AI për të krijuar avatarë të ngjashëm me ata të videolojërave. Procesi do të zgjasë nga 10 sekonda deri në 3 minuta për lojtar. Gjithashtu, FIFA dhe “Lenovo” prezantuan edhe “FIFA AI Pro”, një asistent me inteligjencë artificiale për analiza taktike dhe statistika për trajnerët, lojtarët dhe analistët e kombëtareve pjesëmarrëse.
The post Revolucion me Inteligjencën Artificiale i Botërorit 2026; avatarë 3D të futbollistëve në ndihmë të arbitrave appeared first on Telesport.









