Një shqiptar i dënuar me 20 vjet burgim për vrasjen që kishte kryer në vitin 1996, kishte arritur të shkonte në Britani të Madhe nëpërmjet rrugëve ilegale në vitin 2000.
Në vitin 2010, shteti britanik e kishte dëbuar, por ai është fotografuar në një lagje të Londrës.
Tabloidi britanik “Daily Mail”, shkruan se Afrim Sinani është parë duke ecur në rrugët e periferisë së Londrës, në të cilën shtëpitë shiten për më shumë se 400 mijë funte.
“Sinani e vrau një burrë në shenjë hakmarrjeje dhe u dënua me 20 vjet burgim në vitin 1996. Ai iku dhe me gruan, hyn në Britani ilegalisht me një anije në vitin 2000”, shkruan “Daily Maili”.
“Ai jetoi në Ilford të Essexit bashkë me gruan dhe tre fëmijët, para se të kapej dhe të ekstradohej në Shqipëri në vitin 2010. Mirëpo ai është kthyer në Britani dhe po jeton me familje në verilindje të Londrës, ku pronat shiten për më shumë se 400 mijë funte”, shkruan tabloidi britanik.
Daily Mail shkruan se Afrim Sinani përdori emrin e rrejshëm Afrim Pulaj dhe mori azilin e pasaportën britanike duke gënjyer se ishte refugjatë nga Kosova.
“Ai, gruaja dhe tre fëmijët morën ndihma deri në 120 mijë funte deri në vitin 2010. Familjes së tij iu lejua të qëndronte në Britani edhe pasi ai u dëbua”, shkruan Daily Mail.









