Në Gjermani po ndizet debati rreth një rikthimi të mundshëm të Manuel Neuer në kombëtare për Botërorin e kësaj vere. Sipas “Sky Sport Deutschland”, portieri i Bayern Munich është përfshirë në listën paraprake me 55 lojtarë të përgatitur nga trajneri Julian Nagelsmann.
Nagelsmann nuk e konfirmoi dhe as nuk e mohoi lajmin në një intervistë për ZDF më 16 maj, duke shtuar spekulimet. Heshtja e trajnerit është interpretuar si domethënëse, sidomos pasi kishte paralajmëruar se disa nga vendimet e tij do të krijonin debat.
Situata u bë edhe më delikate pas deklaratave të Didi Hamann. Ish-mesfushori zbuloi se Nagelsmann kishte folur me Oliver Baumann, aktualisht portieri titullar i kombëtares pas tërheqjes së Neuer në vitin 2024. “Ka biseduar me Baumann dhe i ka thënë se po reflektonte mbi situatën. Më pas i ka komunikuar idenë për rikthimin e Neuer”, – tha Hamann.
Sipas tij, një vendim i tillë mund të krijojë tensione në dhomat e zhveshjes: “Nëse Nagelsmann mendon se me Neuer ka më shumë shanse për të fituar, atëherë duhet ta rikthejë. Sidoqoftë duhej të ishte i qartë me Baumann prej javësh”.
Hamann shtoi se shumë lojtarë të kombëtares, veçanërisht ata jashtë orbitës së Bayernit, mund të mos e presin mirë rikthimin e Neuer: “Baumann e çoi Gjermaninë në Botëror me pritje vendimtare. Nuk mund ta lësh të bëjë gjithë punën në eliminatore dhe më pas të rikthesh Neuer në momentin e fundit”.
The post Neuer drejt Botërorit 2026? Hipoteza përçarëse në Gjermani: “Shumë mund të mos bien dakord” appeared first on Telesport.









