Zëvendësministri i Kurtit “vizitë zyrtare” në ministrinë ku punon

Ministria e Zhvillimit Rajonal ka arritur një nivel të ri transparence institucionale, duke njoftuar me krenari se zëvendësministri në detyrë, Ali Dula, ka zhvilluar një “vizite zyrtare” në ambientet e ministrisë ku punon.

Sipas komunikatës, ai është paraqitur në objektin e ministrisë për vizitë dhe ka zhvilluar takime me stafin e njëjtë me të cilin bashkëpunon çdo ditë.

“Sot më datë 15.05.2026, Zëvendësministri i parë në detyrë në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal z.Ali Dula, i shoqëruar nga U.D. Sekretari i Përgjithshëm i MZHR-së z.Ylber Çitaku, realizoi një vizitë zyrtare në ambientet e ministrisë”, thuhet në komunikatën e para dy ditëve.

“Me këtë rast, Zëvendësministri zhvilloi takime dhe komunikim të drejtpërdrejtë me stafin e ministrisë, ku u njoftua nga afër me angazhimet, detyrat dhe përgjegjësitë e secilit zyrtar në kuadër të funksionimit dhe realizimit të aktiviteteve institucionale të MZHR-së. Gjatë vizitës u theksua rëndësia e bashkëpunimit institucional, koordinimit dhe përkushtimit profesional në përmbushjen e objektivave dhe prioriteteve të ministrisë”, vijon komunikata.