Mbi 117 mijë aplikime nga diaspora, numri mund t’i afrohet rekordit të 2021-tës

Me 117 mijë kërkesa për votim nga jashtë vendit, diaspora ka shënuar numrin më të lartë të aplikimeve që nga zgjedhjet e vitit 2021, kur ishin regjistruar rreth 130 mijë aplikime.

E ky numër prej 117 mijë, është e dhënë e mëngjesit të së dielës, ndërkohë diaspora ka pasur mundësi të aplikojë deri në përfundimin e ditës së diel.

KQZ-ja ka vendosur që një herë në ditë të japë të dhënat e aplikimeve dhe të radhës, që janë edhe finale, do të bëhen të hënën.

Nga këto aplikime, 99 mijë e 498 janë aprovuar, 7 mijë e 621 janë refuzuar, ndërsa 10 mijë e 59 janë në shqyrtim e sipër.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se shumica e qytetarëve nga diaspora kanë zgjedhur votimin me postë.

“Nga 99,498 aplikime të aprovuara, 22,955 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 2,590 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 73,953 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës”, ka thënën Elezi.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 ishin mbi 130 mijë aplikime për votim nga jashtë, ndërsa rreth 102 mijë prej tyre janë aprovuar.

Ndërkaq, në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të kaluar kanë aplikuar rreth 115 mijë qytetarë, prej të cilëve mbi 104 mijë kanë fituar të drejtën për votim.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, pati më pak aplikime, pasi shumë qytetarë qëlluan në Kosovë për festa të fundvitit dhe votuan fizikisht.

Qytetarët e regjistruar për votim nga jashtë do të mund të votojnë në dy forma: me postë, në periudhën 25 maj – 6 qershor, ose fizikisht në përfaqësi diplomatike më 6 qershor, një ditë para ditës së zgjedhjeve parlamentare.

Gjatë javës së shkuar janë publikuar edhe listat e kandidatëve për deputetë.

Në to figurojnë kandidatë që kanë përfituar nga manipulimi me vota në zgjedhjet e 28 dhjetorit, të dënuar në shkallë të ndryshme të gjyqësorit e edhe me aktakuza aktive.

Arbëresha Loxha hulumtuese në Grupin për Studime Juridike dhe Politike ka thënë se, ndonëse nuk ka pengesë ligjore për kandidimin e personave me aktakuza, partitë duhet të tregojnë kujdes në përzgjedhje.

“Në qoftë se kandidojnë individ që kanë aktakuza aktive, pra janë pjesë e proceseve zgjedhore, konsideroj që nuk është mirë. Nuk përçojnë mesazh të mirë te qytetarët, veçanërisht në qoftë se të njëjtit janë subjekt i proceseve zgjedhore që lidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe vepra penale të ngjashme. Pra nuk do të ishte mirë, asnjëherë në asnjë proces zgjedhor që personat që nuk e kanë figurën komplet të pastër të kandidojnë në zgjedhje”, ka thënë ajo, raporton Koha.

Neni 30 i Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme ndalon kandidimin e personave të dënuar në 3 vjetët e fundit me vendim të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv.