Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka zhvilluar takim me kandidatët e partisë për deputetë, ku u diskutua për organizimin, koordinimin dhe mobilizimin për Zgjedhjet e Përgjithshme të 7 qershorit.
Në këtë takim u theksua rëndësia e angazhimit të përbashkët dhe komunikimit të vazhdueshëm me qytetarët në të gjitha komunat e Kosovës, me fokus tek programi, përgjegjësia dhe alternativa që PDK ofron për vendin.
Kryetari Hamza u shpreh se Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme të rikthejë stabilitetin, shpresën dhe ditët e mira për Kosovën, duke theksuar se vetëm përmes unitetit dhe kontributit të secilit mund të nxirret vendi nga kriza dhe stagnimi.
“Është koha që Kosova të ecë përpara: me punë, me vizion, me dashuri për vendin dhe me më shumë kujdes, respekt e përkushtim për çdo qytetar të Kosovës”, ka deklaruar Hamza para kandidatëve.
Lista e kandidatëve të Partia Demokratike e Kosovës për deputetë për zgjedhjet e 7 qershorit është diverse, me mbi 50% prurje të reja, 7 kandidatë nga mërgata, shumë të rinj nga Rinia Demokratike e Kosovës, si dhe profesionistë të dëshmuar nga fusha të ndryshme, përfshirë shëndetësinë, inxhinierinë, juridikun, ndërmarrësinë dhe sektorë të tjerë të rëndësishëm për zhvillimin e vendit.









