Policia sekuestron mbi 100 kilogramë duhan kontrabandë në Kamenicë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar një rast të kontrabandimit të mallrave gjatë një aksioni të realizuar sot në fshatin kufitar Novosellë të Kamenicë, ku është ndaluar një person i dyshuar dhe është sekuestruar një sasi e konsiderueshme duhani.

Sipas njoftimit zyrtar, aksioni është zhvilluar më 14 maj 2026 në kuadër të zbatimit të Planit Operativ “Gatishmëria Vepruese 2026”, pas sigurimit të informatave operative nga njësitë policore.

Pas vëzhgimit intensiv në terren, zyrtarët policorë kanë ndaluar një automjet me targa vendore, të drejtuar nga një mashkull kosovar, i cili dyshohet se kishte depërtuar ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës me qëllim transportimin e mallrave të kontrabanduara.

Gjatë kontrollit të automjetit, policia ka zbuluar dhe sekuestruar rreth 106 kilogramë duhan të markave të ndryshme, të paketuar në ambalazhe prej 500 gramësh.

Sipas autoriteteve, sasia e sekuestruar dyshohet të ketë qenë e destinuar për tregun ilegal, me qëllim shmangien e procedurave doganore dhe përfitim të kundërligjshëm financiar.

Të gjitha veprimet operative dhe procedurale janë kryer në koordinim me prokurorin kompetent, ndërsa rasti po trajtohet dhe hetohet nga njësitet përkatëse.