Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor jep detajet për gjetjen e trupit të 55-vjeçares

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës ka dhënë detaje për gjetjen e trupit të 55-vjeçares, Shyhrete Pajaziti.

“Me datën 12.05.2026, ShKShMK ka pranuar një thirrje urgjente për një rast aksidenti në Lumbardhin e Deçanit, ku dyshohej se një qytetare kishte rënë nga diga në ujërat e rrëmbyeshëm të lumit”, thuhet në njoftimin e ShShMK-së.

“Me të marrë lajmin, stacionet e ShKShMK-së në Deçan dhe Pejë kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa pas një kohe të shkurtër operacionit i janë bashkangjitur edhe ekipet nga stacionet e Prizrenit, Gjakovës dhe Mitrovicës. Së bashku me institucionet relevante, si Njësia e Zjarrfikësve të Deçanit dhe Policia e Kosovës, është filluar operacioni i kërkimit përgjatë rrjedhës së lumit dhe në vorbullën e ujit pranë digës së lartcekur”.

“Për shkak të kushteve të pafavorshme dhe rrezikshmërisë së lartë, nuk ka qenë i mundur kërkimi fizik duke hyrë në ujë, sidomos në pjesën e rrjedhës pranë digës. Andaj, teknikët tanë kanë ngritur një urë me litar, ku më pas janë intensifikuar kërkimet duke përdorur metoda alternative të operimit dhe kërkimit”.

Ata thanë operacioni i kërkim-shpëtimit ka qenë i vështirë për shkak të kushteve të pafavorshme, teksa sot kalimtarët kanë hasur trupin e pajetë të viktimës.

“Ky operacion kërkim-shpëtimi ka vazhduar deri në orët e vona të mbrëmjes së datës 12.05.2026, ndërsa kërkimet kanë vazhduar edhe gjatë ditës së nesërme, me datën 13.05.2026. Me datën 13.05.2026, operacionit të kërkimit i janë bashkangjitur edhe ekipet e kërkim-shpëtimit ujor nga Forca e Sigurisë së Kosovës, me të cilët është vazhduar koordinimi dhe operacioni i përbashkët i kërkimit, i cili fatkeqësisht nuk kishte rezultuar me gjetjen e viktimës”.

“Sot, me datën 14.05.2026, rreth orës 14:00, nga disa kalimtarë të rastit është hasur trupi i pajetë i viktimës me inicialet Sh.P., në një lokacion rreth 7.5 km largësi nga diga, përgjatë rrjedhës së lumit”.

“Në operacionin e tërheqjes së trupit kanë qenë të pranishëm pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, Njësisë së Zjarrfikësve, si dhe një ekip i ShKShMK-së.

“Operacioni është zhvilluar në kushte të vështira për shkak të rrjedhës së fuqishme të ujit dhe terrenit të rrezikshëm, duke kërkuar angazhim maksimal dhe përdorim të teknikave të specializuara të kërkim-shpëtimit malor dhe ujor”.

“I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe të afërmve të viktimës”.

“ShKShMK përgëzon të gjithë pjesëmarrësit në këtë mision për bashkëpunimin, koordinimin dhe mbi të gjitha për frymën humane dhe vetësakrifikuese të treguar nga pjesëtarët e institucioneve tona dhe qytetarët e përfshirë në këtë operacion’.