Një kompani që alarmonte për “planifikim kriminal” dhe dëm një milion euro ndaj buxhetit të shtetit, tash është rrugës për të fituar tenderin 1.9 milionësh të Qendrës Klinike Stomatologjike (QSKUK) për furnizim me pajisje dentare dhe laboratorike.
Betejë të gjatë kanë zhvilluar tri kompani për një tender të Qendrës Klinike Stomatologjike të Kosovës, i parashikuar në vlerë rreth 1.9 milion euro, ndaj të cilit rëndojnë dyshime për kurdisje dhe favorizim.
Që nga shtatori i vitit të kaluar, operatorët ekonomikë janë përballur në të gjitha instancat lidhur me tenderin për furnizim me pajisje dentare për Qendra Klinike Stomatologjike e Kosovës.
Tenderi, i shpallur më 25 shtator 2025 me vlerë të parashikuar të kontratës prej 1,889,000.00 euro, parasheh furnizimin e klinikës me pajisje dentare dhe laboratorike të cilat përdoren për trajtimin dhe diagnostikimin e pacientëve në kuadër të shërbimeve stomatologjike publike.
Specifikat teknike të tenderit janë ndryshuar gjatë procedurës, pas një vendimi të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP).
Ndryshimet dyshohet se i shkojnë përshtat një operatori ekonomik, kompanisë Bora Dental Sh.P.K., e cila fillimisht e akuzonte QKSK-në për “vjedhje” dhe “planifikim kriminal” të buxhetit për këtë procedurë.
Ajo e kishte denoncuar publikisht tenderin si veprimtari të paligjshme dhe vjedhje të parasë publike.
Kompania, në pronësi të Yll Bajramit dhe Taulant e Fisnik Gashit, e kishte akuzuar vitin e kaluar QSKUK-në për tejkalim të vlerës së kontratës për rreth 900 mijë euro. Bazuar në këtë denoncim të kompanisë, vlera reale e pajisjeve të kërkuara nuk e kalonte shumën prej 900 mijë euro.
“Vlera reale e pajisjeve të kërkuara në treg nuk kalon 900,000 euro, ndërsa tenderi është shpallur në 1,899,000 euro, duke krijuar një diferencë prej rreth 1 milion euro që përbën vjedhje të drejtpërdrejtë të buxhetit të shtetit”, alarmonte Bora Dental Sh.P.K. në një ankesë të dorëzuar në OSHP-së më 7 tetor të vitit të kaluar.
Kjo procedurë “nuk është vetëm e paligjshme dhe diskriminuese, por përmban shenja të qarta të një veprimi kriminal që do të duhej hetuar menjëherë”, bënte thirrje urgjente kompania në ankesë.

Por, rrethanat ndryshuan brenda më pak se një viti. Ndryshoi edhe oferta e kompanisë Bora Dental Sh.P.K..
Në prill të këtij viti, pas ndryshimit të kritereve dhe specifikave të tenderit sipas ankesës së kompanisë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, kompania u vendos në pozitë kontradiktore me vetveten, duke ofertuar për të njëjtin tender me çmim prej 1.7 milion eurosh, ndonëse më herët kishte pretenduar se vlera reale e pajisjeve nuk e kalonte shumën prej 900 mijë eurosh.
Oferta e fundit e Bora Dental peshon saktësisht 1,720,122.18 euro, bazuar në procesverbalin zyrtar të hapjes së ofertave të datës 14 prill. Tenderi i saj tash është dukshëm më i lartë sesa i dy operatorëve konkurrentë të cilët kanë ofertuar me çmime 1.27 milion dhe 1.34 milion euro.
Dhe pas ndryshimit të specifikave teknike në Dosjen e Tenderit, të cilat dyshohet se i përshtaten plotësisht ofertës së Bora Dental, kompania parashikohet të rekomandohet për kontratë nga QSKUK-ja.
Rasti ka ngritur dyshime për një “trekëndësh” të koordinuar mes Qendrës Klinike, kompanisë Bora Dental dhe ekspertes së Organit Shqyrtues të Prokurimit, e cila në nëntor të vitit të kaluar i gjeti si të bazuara pretendimet e Bora Dental kundër njoftimit për kontratë dhe e obligoi QSKUK-në t’i ndryshonte specifikat teknike në dosje.

Pas vendimit të OSHP-së, QKSUK hartoi specifika që dyshohet se përputhen me produkte të caktuara të cilat favorizojnë brendet e përfaqësuara nga Bora Dental, përfshirë pajisje të prodhuesve Dentsply Sirona dhe MELAG.
Paparaci ka kërkuar sqarime nga Qendra Klinike Stomatologjike Universitare lidhur me këtë procedurë, konkretisht për shpërputhjen mes pretendimit për vlerë reale të tenderit në shumën 900,000.00 euro dhe ofertës prej 1.7 milion euro të kompanisë Bora Dental, por deri në momentin e publikimit të artikullit, QSKUK nuk ka kthyer përgjigje.
As kompania Bora Dental nuk ka kthyer përgjigje në kërkesën e Paparacit për koment në lidhje me alarmin e ngritur fillimisht për keqpërdorimin e parave publike dhe pastaj rritjen e ofertës në 1.7 milion euro. /Paparaci.com








