Aktivistja politike Gresa Lahu ka reaguar pas kandidimit të hoxhës nga Drenasi, Osman Musliu, për deputet në listën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), duke e cilësuar këtë përfshirje si të papërshtatshme dhe në kundërshtim me neutralitetin institucional të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Në një postim publik, Lahu ka thënë se përfshirja e prijësve fetarë në garë zgjedhore bie ndesh me parimet e neutralitetit dhe rrezikon polarizim politik e shoqëror.
Ajo ka rikujtuar edhe Udhëzimin Administrativ të Bashkësisë Islame të Kosovës, i cili ndalon përfshirjen e përfaqësuesve fetarë në aktivitete dhe lista zgjedhore, përfshirë edhe mbështetjen publike për subjekte politike.
“Kur një figurë fetare, veçanërisht një imam, përfshihet në listë zgjedhore apo del me deklarime të hapura politike në favor të një subjekti të caktuar, kjo cenon parimin e neutralitetit dhe krijon perceptim të përzierjes së rolit fetar me atë politik”, ka shkruar ajo.
Duke iu referuar konkretisht kandidimit të Osman Musliut në listën e LVV-së, Lahu ka vlerësuar se ky veprim bie ndesh me misionin fetar dhe cenon besimin e qytetarëve.
“Në këtë kontekst, përfshirja e hoxhës së Drenasit, Osman Musliu, në listë zgjedhore është veprim i papërshtatshëm dhe bie ndesh me parimet e neutralitetit institucional dhe misionit fetar, duke cenuar besimin dhe unitetin shoqëror”, thuhet në reagimin e saj.
Sipas Lahut, pjesëmarrja e Musliut në garën politike ngre edhe “pikëpyetje serioze mbi motivet e angazhimit të tij”, duke lënë hapësirë për interpretime mbi interesat që mund të qëndrojnë pas këtij kandidimi.










