Bashkim Rajku, babai i reperit të njohur Noizy, ka dëshmuar në GJKKO lidhur me atentatin me tritol të ndodhur më 8 qershor 2022 ndaj lokalit dhe biznesit në pronësi të familjes së tij.
Gjatë deklarimeve para gjykatës, Rajku tregoi se në momentin e shpërthimit ndodhej në apartamentin e tij dhe u zgjua nga zhurma e fortë.
“Para katër vitesh kam qenë në gjumë. Mora vesh që kishte shpërthyer diçka. E dëgjova zhurmën dhe zbritëm poshtë. Ishte natë dhe lokali ishte i mbyllur”, mësohet të ketë deklaruar ai në sallën e gjyqit.
Sipas dëshmisë, në kohën e shpërthimit nuk ndodhej askush në ambientet e biznesit, ndërsa administrimi i lokaleve ndiqej nga vajza e tij, Anisa Rajku.
“Pashë që ishin thyer xhamat dhe ishte prishur gjithçka. Nuk hymë brenda, pritëm të vinin autoritetet për verifikimet”, ka deklaruar Bashkim Rajku.
Ai tha se nuk ka dijeni për konflikte apo probleme pronësie që mund të lidhen me vendosjen e lëndës plasëse, ndërsa shtoi se familja nuk ka marrë ende përgjigje të qarta për motivet e ngjarjes.
“Nuk di me çfarë ta lidh ngjarjen. Nuk kam pasur probleme pronësie apo armiqësi me njeri. Edhe sot nuk dimë asgjë më shumë, nga mediat kemi marrë vesh”, është shprehur ai.
Në dëshminë e tij u përmend edhe emri i Kleviol Ahmetit, njohur në art si Cllevio, për të cilin Rajku deklaroi se e njeh si personazh të muzikës dhe medias sociale.
“Kam dëgjuar që ka pasur xhelozira me djalin tim. Më duket se është nga Lushnja”, tha ai, duke nënvizuar se nuk ka pasur dyshime konkrete ndaj askujt.
Atentati me tritol i ndodhur në qershor 2022 shkaktoi dëme të shumta materiale në biznesin e familjes Rajku.









