Dyshimet për dallaveret në procesin e numërimit të votave nuk i kanë penguar Partisë Demokratike të Kosovës për ta kandiduar përsëri për deputet Nait Hasanin.
Ndonëse Dega e PDK-së në Prizren nuk e ka propozuar, Hasani është futur në listë pas vendimit të shtabit të partisë.
Vetë Hasani e ka konfirmuar se do të jetë në listën e PDK-së, e cila nuk është bërë akoma publike.
“Po, do të jem në listë”, ka thënë Hasani për Insajderin, trasnmeton Paparaci.
Ai ka bërë të ditur se do të mbajë numrin 42 në listën prej 110 kandidatëve të PDK-së.
Kryetari i Degës së PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj, përmes një reagimi sot bëri të ditur se dega nuk i ka propozuar të dyshuarit për dallavere me vota.
“Pas konsultimeve të brendshme, unë dhe kryesia e degës në Prizren kemi reflektuar me përgjegjësi politike dhe morale. Personat emrat e të cilëve u përmendën në atë proces nuk janë propozuar nga dega e PDK-së në Prizren për të qenë pjesë e listës së kandidatëve”, ka thënë Totaj në reagimin e tij.
Megjithatë, vendimi i degës nuk është respektuar nga shtabi i partisë.
Partia Demkoratike e Kosovës është prej të vetmeve partive të mëdha që nuk e ka bërë akoma publike listën e kandidatëve për deputetë.
Afati për dorëzimin e saj ka përfunduar mbrëmjen e 12 majit.









