Dy nga katër personat e larguar nga shtëpia e sigurt në Gjakovë që nga mëngjesi i së martës janë gjetur, ka njoftuar të mërkurën Policia.
Sipas Policisë, të zhdukur janë raportuar dy vajza dhe dy djem, vendndodhja e dy prej të cilëve ende nuk dihet.
“Nga shtëpia e sigurt është raportuar se dy femra dhe dy meshkuj kosovarë janë larguar dhe nuk dihet vendndodhja e tyre. Pas veprimeve policore dy persona janë gjetur dhe kthyer ne shtëpi, ndërsa po vazhdojnë kërkimet për dy personat tjerë. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftimin 24-orësh të Policisë.
Ndërkohë, një tjetër rast i personit të zhdukur është raportuar edhe në Deçan. Të martën, dy ankues kanë njoftuar policinë se një grua është larguar nga shtëpia dhe që nga ajo kohë nuk dihet vendndodhja e saj.
Policia ka bërë të ditur se po ndërmerren veprime për gjetjen e saj.









