Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, ka pritur sot në një takim zyrtar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të Republikës së Shqipërisë, Drejtues Madhor Skender Hita.
Në takim, Hoxha ishte i shoqëruar nga stafi i lartë menaxhues i Policisë së Kosovës, ndërsa delegacioni shqiptar përbëhej nga zyrtarë të lartë policorë. I pranishëm ishte edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.
Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve policore, me fokus në forcimin e koordinimit në luftën kundër kriminalitetit, krimit të organizuar dhe dukurive tjera që cenojnë sigurinë rajonale.
Drejtori Gazmend Hoxha vlerësoi partneritetin e deritanishëm ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të informacioneve, hetimeve të përbashkëta dhe operacioneve policore në funksion të sigurisë së qytetarëve.
Ai prezantoi gjithashtu prioritetet strategjike dhe kapacitetet operative të Policisë së Kosovës, duke theksuar përkushtimin në forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e krimit transkufitar.
Nga ana tjetër, Drejtues Madhor Skender Hita falënderoi për mikpritjen dhe vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet dy policive si model bashkëpunimi të bazuar në besim reciprok dhe profesionalizëm.
Ai rikonfirmoi gatishmërinë e Policisë së Shtetit të Shqipërisë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit me Policinë e Kosovës në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
Takimi përfundoi me zotimin e dy institucioneve për avancimin e bashkëpunimit bilateral dhe zgjerimin e tij edhe në fusha të tjera që lidhen me sigurinë dhe rendin publik.









