Profesori amerikan, Daniel Serwer, ka kritikuar ashpër Gjykatën Speciale me seli në Hagë.
Serwer ka theksuar raportin e ekspertëve britanikë, të cilët kanë evidentuar një numër të madh shkeljesh e problemesh në punën e Gjykatës Speciale.
Serwer ka theksuar dështimin për lirim nga paraburgimi, pranueshmërinë e provave e barazinë e armëve.
Ai ka thënë se vendimi mund të ndikojë në paqen dhe stabilitetin në rajon.
Serwer thekson se një Gjykatë që ka funksionuar me miliona euro, nuk ka arritur të ofrojë drejtësi.
“Ajo që nuk thotë (raporti) është se një gjykatë që i kushton bashkësisë ndërkombëtare disa qindra milionë euro nuk ka arritur të ofrojë drejtësi që përmbush standardet që kërkon populli i Kosovës. Zgjidhja për këtë është e paqartë për mua. Por dënimi dhe burgosja e mëtejshme nuk do ta përmirësojnë reputacionin e drejtësisë ndërkombëtare askund tjetër përveç në Serbi”, ka shkruar Serwer.
Gjykata Speciale ka mohuar gjetjet e raportit të ekspertëve britanikë.
Komiteti i Odës së Avokatëve për të Drejtat e Njeriut i Anglisë dhe Uellsit, një organizatë e pavarur, kredibile dhe me fokus në të drejtat e njeriut, ka hartuar një raport rreth 100 faqe për proceset gjyqësore në kuadër të Gjykatës Speciale në Hagë.
Kjo është bërë me kërkesën e Avokatit të Popullit në Kosovë, dhe numri i shkeljeve e dilemave që janë evidentuar, është i madh.
Fillimisht organizata e njohur ka sqaruar juridiksionin e Dhomave të Specializuara, duke konstatuar se kanë pësuar ndryshime në mandat. Nga akuzat për trafikim të organeve, deri te akuzar për krime të luftës e krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
“Duke qenë se theksi i Raportit të Këshillit të Evropës është te “krimi i organizuar” dhe tregtia e paligjshme me organe – çështje që nuk janë ndjekur penalisht nga DhSK-ja – bëhet e qartë se mandati i DhSK-së ka pësuar ndryshim.Juridiksioni personal dhe territorial i DhSK-së mundëson ndjekjen penale edhe të individëve të tjerë përveç anëtarëve të UÇK-së. Megjithatë, fokusi më i ngushtë ndaj UÇK-së buron nga Raporti i Këshillit të Evropës, marrëveshja me BE-në lidhur me mandatin e EULEX-it39 dhe realiteti më I gjerë politik në të cilin është themeluar DhSK-ja. Kjo mbetet një çështje me shumë polemika”, thuhet qysh në fillim të raportit.









