Këpucët po ju bëhen të ngushta? Ja pse madhësia e këmbëve ndryshon me kalimin e viteve

Me moshën, shtimi në peshë, ndryshimet hormonale dhe dobësimi i ligamenteve mund të ndikojnë që shputat të zgjaten, të zgjerohen dhe këpucët e dikurshme të mos ju përshtaten më.

Keni bartur këpucë numër 39 që prej se mbani mend. Gjithmonë ju janë përshtatur në mënyrë të përkryer, por një ditë, pa ndonjë arsye të dukshme, ato thjesht nuk ju rrinë më si më parë.

Sado që përpiqeni, nuk arrini ta fusni këmbën aq lehtë në këpucën e madhësisë suaj të zakonshme. Megjithatë, kjo nuk është aq e pazakontë sa duket. Këmbët mund ta ndryshojnë madhësinë me kalimin e kohës, sepse vitet, në kuptimin e vërtetë të fjalës, mund ta riformësojnë shputën.

Pse këpucët e vjetra bëhen të ngushta?

Së pari, mos u shqetësoni. Së dyti, është krejt e natyrshme që këmbët të ndryshojnë gradualisht në gjatësi dhe gjerësi me kalimin e viteve.

Me çdo hap që bëni, trupi juaj thith një peshë dy deri në tri herë më të madhe se pesha trupore, për shkak të forcës së gravitetit. Kjo lë gjurmë në këmbë, aq sa me kohë mund t’ua ndryshojë edhe formën.

“Ligamentet dhe tendinat që mbështesin harkun e shputës konsumohen nga përdorimi i vazhdueshëm. Kur kjo ndodh, harku fillon të ulet ngadalë, dhe kjo sheshtim bën që shputa të bëhet pak më e gjatë ose më e gjerë”, shpjegon podiatrja Dr. Nicole Nicolosi nga Cleveland Clinic, specialiste për kujdesin mjekësor, diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të shputës dhe nyjës së këmbës.