Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, ka zhvilluar një takim me personalitete të njohura amerikane dhe ndërkombëtare nga fusha e drejtësisë, sundimit të ligjit dhe luftimit të trafikimit me qenie njerëzore, në kuadër të vizitës së tyre në Republikën e Kosovës.
Në takim morën pjesë z.Todd Hendricks, njëri nga organizatoret e Lutjeve të Mëngjesit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbështetës i kahershëm i Kosovës, si dhe z.John Cotton Richmond, një nga ekspertët më të njohur amerikanë në fushën e luftimit të trafikimit me qenie njerëzore dhe krimit ndërkombëtar.
Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe trafikimit me qenie njerëzore, si dhe për avancimin e kapaciteteve profesionale dhe shkëmbimin e praktikave më të mira ndërmjet institucioneve të drejtësisë dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Kryeprokurori Isufaj falënderoi mysafirët për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës, duke theksuar përkushtimin institucional për forcimin e sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit me partnerët strategjikë ndërkombëtarë.
Nga ana e tyre, mysafirët vlerësuan progresin institucional të Kosovës në fushën e drejtësisë dhe ritheksuan gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit profesional dhe institucional në iniciativa që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, luftimin e trafikimit me qenie njerëzore dhe avancimin e sigurisë dhe drejtësisë ndërkombëtare.








