Thaçi tregon nëse i përcjell zhvillimet politike në Kosovë

 

Ish-presidenti Hashim Thaçi nga Haga i është përgjigjur pyetjes se a i përcjell zhvillimet politike në vend.

Ai për emisionin “Opinion” tha se së pari mundohet ta ruaj koherencën e tij njerëzore, e pastaj atë të zhvillimeve politike.

Thaçi gjithashtu theksoi se nuk pretendon që të jetë pjesë e garës politike, derisa tha se është besimplotë për Kosovën.

Mirëpo, ish-presidenti u shpreh se dialogu i brendshëm politik duket i lënduar rëndë.

“Së pari mundohem ta ruaj koherencën time njerëzore, pastaj atë të zhvillimeve politike. Nuk pretendoj të jem pjesë e garës politike. Jam besimplotë për Kosovën. Lëvizja politike e padëgjueshmërisë qytetare dhe e rezistencës për liri kishte një vizion (1990-1999)”.

“Edhe pas luftës, uniteti i brendshëm institucional dhe bashkëpunimi me Perëndimin ishte alfa dhe omega e suksesit (1999-2021). Vendi sot frymon dhe vepron ndryshe. Dialogu i brendshëm politik duket i lënduar rëndë”, tha ai.