Kosova është pranuar anëtare me të drejta të plota në Asosacionin Rajonal të Rregullatorëve të Energjisë.
Kosova është pranuar në Asamblenë e mbajtur më 28 prill 2026 në Bratislavë, Sllovaki, këtë organizatë ndërkombëtare të rëndësishme të rregullatorëve të energjisë.
Kosova ka qenë anëtare e asociuar e ERRA-s që nga themelimi i saj.
“Anëtarësimi me të drejta të plota përfaqëson një arritje të rëndësishme institucionale, duke mundësuar pjesëmarrje të plotë në proceset vendimmarrëse, përfshirë të drejtën e votës, si dhe një rol më të fuqishëm në zhvillimin dhe avancimin e praktikave rregullatore në nivel rajonal dhe ndërkombëtar”, thuhet në një njoftim të ZRRE-së.
“Ky zhvillim dëshmon përkushtimin e qëndrueshëm dhe angazhimin aktiv të ZRRE-së në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare të rregullimit të sektorit energjetik, si dhe kontributin e vazhdueshëm të ekspertëve të saj në forumet profesionale dhe iniciativat bashkëpunuese të ERRA-s”, thuhet më tej.
“ZRRE mbetet e përkushtuar për të avancuar më tej kornizën rregullatore në Republikën e Kosovës, duke promovuar transparencë, qëndrueshmëri dhe integrim të tregut energjetik në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.
Nëpërmjet këtij anëtarësimi, ZRRE do të intensifikojë bashkëpunimin me homologët ndërkombëtarë dhe do të kontribuojë në mënyrë aktive në zhvillimin e politikave dhe mekanizmave që mbështesin një sektor energjetik të sigurt dhe të qëndrueshëm.








