Artisti i mirënjohur, Petrit Halilaj, në bashkëpunim me platformën e shqiptarëve në diasporë, “Marrja e Zezë”, kanë realizuar një ekspozitë në Berlin, të titulluar “Who does the earth belong to while painting the wind?!”.
Për këtë ngjarje ka shkruar ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, i cili tha se ekspozita solli atmosferë unike me melodi tradicionale.
“Defi i Syriganës në Berlin. Ishte më shumë se një ekspozitë. Petrit Halilaj dhe Marrja e Zezë, si gjithmonë, sollën diçka të re dhe të veçantë në Berlin. E tillë ishte edhe ekspozita ‘Who does the earth belong to while painting the wind?!’, e cila krijoi një atmosferë unike me melodi tradicionale”, shkroi Ajeti.
Ambasadori tha se ekspozita ishte një reflektim i fuqishëm mbi emancipimin, identitetin dhe rrugëtimin kolektiv ndër vite të vendit tonë.
“Këngët tradicionale, gojëdhënat dhe elementet folklorike u ndërthurën natyrshëm me artin bashkëkohor, duke krijuar një përjetim të veçantë për njerëzit e kulturës dhe artit. Defi i #syriganës tani i takon edhe Berlinit”, përfundoi ambasadori Faruk Ajeti.









