Marta Kos: I kemi pezulluar të gjitha pagesat nga Plani i Rritjes për Serbinë

“Për momentin, ne kemi ndaluar të gjitha pagesat nga Plani i Rritjes sepse Serbia ka bërë regres në fushën e drejtësisë dhe derisa ta rregullojnë këtë, nuk do të mund të marrin mbështetje financiare nga BE-ja”, tha dje në Universitetin e Friborgut në Zvicër, Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos.

Kos mbajti një ligjëratë me temën “Si e ndryshoi gjeopolitika zgjerimin e BE-së” në Universitetin e Friborgut. Duke iu përgjigjur pyetjeve nga audienca, ajo iu referua edhe situatës në Serbi.

“Serbia është shumë e polarizuar sot. Ka qenë kandidate për anëtarësim për më shumë se dhjetë vjet dhe për fat të keq po shohim një pengesë, veçanërisht në pjesën që lidhet me vlerat për të cilat fola më parë, sundimin e ligjit, demokracinë, lirinë e shprehjes dhe veçanërisht lirinë e medias. Serbia ka një të ardhme në Bashkimin Evropian, por kursi duhet të ndryshojë”, tha Kos.

Ajo vuri në dukje se orientimi gjeopolitik është gjithashtu i rëndësishëm.

“Ne kemi një rregull, përpara se të bëjmë një vend anëtar të BE-së, përputhshmëria e shtetit me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së duhet të jetë 100 përqind. Kjo do të thotë që nuk mund të ulesh në dy karrige. Në një moment, Serbia do të duhet të vendosë se çfarë është më e rëndësishme për zhvillimin e saj”, shtoi ajo.

Kos vlerësoi se proceset e fundit në Serbi treguan se “ka forca që realisht nuk pajtohen me mënyrën se si qeveria dhe presidenti e qeverisin vendin”.

“Edhe një herë, ne jemi të gatshëm të ndihmojmë, por Serbia do të duhet të veprojë”, shtoi ajo.

Miratimi i ligjeve në fushën e drejtësisë, në janar 2026, çoi në kritika të ashpra nga Brukseli kundër regjimit të Aleksandar Vuçiqit. Në raportin e javës së kaluar, Komisioni i Venedikut paraqiti një sërë rekomandimesh në bazë të të cilave këto ligje duhet të ndryshohen, ndërsa Komisioni Evropian deklaroi se pret që Serbia t’i zbatojë këto rekomandime sa më shpejt të jetë e mundur.