Gjyqi për vdekjen e Maradonës, zemërim dhe lot në sallë. Ish-bashkëshortja akuzon: Ai është vrasësi…

Vazhdojnë në një klimë tensioni të fortë dhe emocionesh seancat e procesit ndaj 7 të pandehurve të akuzuar për vrasje nga pakujdesia të Diego Maradonës. Gjyqi po zhvillohet në gjykatën e San Isidro, në Buenos Aires. Pas dëshmisë prekëse të vajzës Gianinna, javën e kaluar, dje dëshmoi ish-bashkëshortja Veronica Ojeda, duke drejtuar akuza të rënda ndaj neurokirurgut Leopoldo Luque.

“Ai është një vrasës! Diego e donte dhe madje i kishte dhuruar edhe një motor. Nuk e kuptoj si mund ta ketë bërë këtë. Ai dhe psikiatrja (Agustina) Cosachov na bindën për shtrimin në shtëpi, duke na siguruar se do të kishte të gjitha pajisjet e nevojshme. Po përpiqem të jem e respektueshme, por ai vrau babain e djalit tim”, – tha Ojeda mes lotësh.

Në përputhje me Gianinna, Ojeda theksoi se “shtëpia nuk ishte e përshtatshme për kujdes shëndetësor. Nuk kishte pajisje, nuk mund të lahej. Kishte vetëm një enë urinimi, dhoma ishte shumë e pistë dhe me erë të padurueshme”.

Ajo paraqiti edhe një regjistrim mbi një orë nga mbledhja ku u vendos që Maradona të mos shtrohej në klinikë pas operacionit në kokë, por të trajtohej në vilën në Ezeiza, ku ndërroi jetë më 25 nëntor 2020. Tani gjyqtarët do të vendosin nëse kjo provë do të përfshihet në proces.

The post Gjyqi për vdekjen e Maradonës, zemërim dhe lot në sallë. Ish-bashkëshortja akuzon: Ai është vrasësi… appeared first on Telesport.