Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, u takua të mërkurën me Zëvendëssekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Radmila Shekerinska, në selinë e NATO-s në Bruksel.
Gjatë vizitës, ai informoi Këshillin e Atlantikut të Veriut në formatin e KFOR-it, me pjesëmarrjen e ambasadorëve të të gjitha vendeve aleate të NATO-s dhe shteteve partnere që kontribuojnë me personel në këtë mision.
Gjeneralmajor Ulutash, siç njofton KFOR-i, paraqiti përpjekjet e misionit për të garantuar një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe ndau vlerësimet e tij për situatën aktuale të sigurisë në rajon.
“Ai falënderoi të gjitha vendet aleate dhe partnerët e NATO-s për angazhimin e tyre të vazhdueshëm për t’u siguruar që KFOR-i të jetë i pajisur dhe i pozicionuar siç duhet, si dhe për përkushtimin e palëkundur në mbështetje të sigurisë në Kosovë dhe stabilitetit rajonal”, u tha në njoftimin e KFOR-it.
Gjatë ditës, edhe vetë numri dy i NATO-s, Shekerinska, përmes një njoftimi në X, ka thënë se NATO-ja është e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
“Jam e lumtur që mirëpres komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Ozkan Ulutash në selinë e NATO-s dhe e ftoj atë të bashkohet përsëri në një takim të Këshillit të Atlantikut të Veriut”, ka thënë Radmila Shekerinska.









