Ulje e rritjes ekonomike në Kosovë gjatë 2026, sipas Bankës Botërore

Rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor pritet të mbetet e ngadaltë gjatë viteve 2026 dhe 2027, e ndikuar nga efektet zinxhir të konfliktit në Lindjen e Mesme, inflacionit të vazhdueshëm dhe pasigurisë në rritje.

Në Kosovë, shihet që rritja e PBB-së bie nga 4.1% në 2023 në 3.7% në 2026.

Për të ruajtur ritmin e reformave në një rajon që po përballet me mungesa në rritje të fuqisë punëtore, zgjerimi i pjesëmarrjes në tregun e punës është thelbësor, thuhet në raportin më të fundit të Bankës Botërore, të publikuar sot.

Raporti i Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor parashikon se rritja e kombinuar ekonomike e Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë do të arrijë në 2.8% në vitin 2026, që është 0.3 pikë përqindje më e ulët krahasuar me parashikimet e mëparshme. Rritja ekonomike pritet të përshpejtohet në mënyrë modeste në 3.2% në vitin 2027.

“Pasiguria globale dhe tensionet gjeopolitike po frenojnë rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor, dhe rritja e çmimeve po ndikon drejtpërdrejt në buxhetet e familjeve,” – tha Xiaoqing Yu, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

“Ndërkohë që politikëbërësit po përdorin masa fiskale afatshkurtra për të zbutur ndikimin e këtyre presioneve mbi familjet dhe bizneset, raporti ynë tregon se çelësi për përparimin ekonomik afatgjatë janë vendet e punës. Ballkani Perëndimor ka një rezervë të madhe talenti ende të pashfrytëzuar — gra, të rinj dhe individë që dëshirojnë të punojnë, por përballen me pengesa. Përfshirja e tyre në tregun e punës është një nga masat më efektive që rajoni mund të ndërmarrë për të forcuar ekonominë.”

Sipas raportit, popullsia në Ballkanin Perëndimor po plaket më shpejtë se thuajse kudo tjetër në Evropë. Brenda dekadës së ardhshme, të paktën një në pesë persona në rajon do të jetë mbi moshën 65 vjeç. Ndërkohë, personat në moshë pune, përfshirë të diplomuarit dhe punëtorët e pakualifikuar po kërkojnë paga dhe perspektiva më të mira jashtë vendit. Paradoksi qëndron në faktin se, edhe pse mungesat e fuqisë punëtore janë më të theksuara në sektorët kyç, shumë njerëz mbeten ende pa punë ose kanë hequr dorë plotësisht nga kërkimi i saj.

Raporti vë theksin tek kapitali njerëzor i pashfrytëzuar mjaftueshëm: gratë, të rinjtë dhe individë të tjerë që dëshirojnë të punojnë, por përballen me pengesa për të hyrë në tregun e punës. Nëse shkalla e pjesëmarrjes së fuqisë punëtore në të gjithë rajonin do të ishte e njëjtë me atë të vendeve të ngjashme në Bashkimin Evropian, kjo do të rezultonte në më shumë se 2.8 milionë punëtorë shtesë. Vetëm si pasojë e përfshirjes së grave në tregun e punës, rritja vjetore ekonomike mund të shtohej me 0.35 pikë përqindje.

Raporti thekson nevojën për ta bërë punësimin një alternativë më tërheqëse, përmes politikave të taksave dhe përfitimeve, pasi në shumë raste qëndrimi në shtëpi mbetet një zgjedhje financiarisht më e sigurt. Raporti vëren gjithashtu nevojën për shërbime të përballueshme të kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit, trajnime më të mira profesionale, si dhe për vende pune që ofrojnë fleksibilitet dhe kushte të denja pune, përfshirë edhe punonjësit e platformave online.