“Vjosën e panë si kuorum për presidenten ‘karate’”, Abdixhiku deklarohet pas shpërndarjes së Kuvendit

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se Kosova po shkon në zgjedhje sepse pushteti i VV-së me 51 për qind kërkoi nënshtrim.

“Ne zgjodhëm Republikën”, ka shkruar Abdixhiku.

Postimi i plotë:

Kërkuan konsensus. Ua dhamë. U takuam.

Kërkuan emra. Thamë Vjosën. E injoruan.

Kërkuan nënshkrime. Ua dhamë, 15 sosh, sa i kishim.

Në fund, kërkuan gjënë e vetme që dinin, nënshtrimin.

Këtë s’mund ta kishin.

Vjosën, Presidenten e deritashme, e panë vetëm si kuorum, si numër plotësues për Presidenten e tyre “karate”. Ne e pamë ndryshe. E pamë siç duhet të ishte edhe me votat e tyre, një Presidente përfaqësuese dinjitoze e Republikës.

Ky është dallimi i madh mes nesh.

Dhe këtë dallim do ta vulosë populli i Kosovës. Do ta zgjedhë vet.

Tani është koha për bashkimin e njerëzve të mirë të këtij vendi, që duan një Kosovë normale, pa dramë, pa propagandë, me dinjitet brenda Lidhjes Demokratike.

Do ta kemi!