Policia e Kosovës në dy ditët e fundit ka konfiskuar tri armë në lokacione të ndryshme në rajonin e Mitrovicës.
Një armë e gjatë është konfiskuar në zonën e Mitrovicës, ku arma ishte gjetur në automjetin e personit të dyshuar.
Një armë e gjatë është konfiskuar në zonën e Vushtrrisë, pasi që personi i dyshuar kishte publikuar një video incizim duke shtënë me armë zjarri. Policia ka identifikuar personin dhe lokacionin dhe pas reagimit të policisë, është konfiskuar arma me të cilën i dyshuari kishte shtënë gjatë një ahengu familjar.
“Arma e tretë është konfiskuar në zonën e Skenderajt, pasi që ishte pranuar informata se ishin dëgjuar të shtëna në një rrugë malore. Policia ka intervenuar dhe kanë hasur personin e dyshuar dhe pas kontrollit i kishin gjetur një armë e shkurtër në brez. Armët janë konfiskuar dhe janë proceduar në cilësinë e provave materiale”, thuhet në njoftim.
Tre persona të dyshuar, pas intervistimit dhe procedurave tjera, me udhëzim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt.
Ndaj tre të dyshuarve janë iniciuar raste penale për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës.









