Lëvizja Vetëvendosje të hënën ka nisur dhe zhvilluar raundin e parë të procedurës për zgjedhjen e Presidentit, pavarësisht mungesës së kuorumit të nevojshëm kushtetues.
Seanca e jashtëzakonshme u thirr pas kërkesës së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes dhe u caktua të mbahej në orën 20:30. Në këtë seancë u propozuan dy kandidatura për postin e presidentit, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
Megjithatë, në procesin e votimit morën pjesë vetëm 64 deputetë, çka përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës, pasi procedura është zhvilluar pa numrin e domosdoshëm të deputetëve.
Në raundin e parë, Feride Rushiti mori 63 vota, ndërsa një votë ishte e pavlefshme. Kandidatja tjetër, Hatixhe Hoxha, nuk arriti të marrë asnjë votë.
Pas përfundimit të votimit, seanca u ndërpre dhe është paralajmëruar të vazhdojë të martën në orën 10:00.
Reagimet nga opozita kanë qenë të ashpra.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, atë që ndodhi sonte në seancën për presidentin, e ka quajtur puç kushtetues.
Ai është shprehur se shkelja e Kushtetutës veçse ka ndodhur, pasi ajo që thuhet në të është shumë e qartë.
“Ky është një puç kushtetues. Është derdhur shumë gjak, shumë mund, shumë sakrificë, shumë vuajtje që ne ta kem lirinë, ta kem shtetin, ta kem Kushtetutën. Kjo çka ka ndodhur sonte, veç ka ndodhur shkelja e Kushtetutës”.
“Kushtetuta është e qartë, duhet të jenë 80 deputetë prezentë në sallë dhe të votojnë që të konsumohet raundi i parë”, tha ai.
Hamza për seancën e nesërme tha se sipas tyre, nuk janë plotësuar kushtet që të kalohet në raundin e dytë të votimit.
“Kemi ftesë për nesër në ora 10:00, mirëpo ne konsiderojmë se nuk janë plotësuar kushtet që të kalohet në raundin e dytë, pasiqë raundi i parë nuk i ka pasur 80 deputëtë prezentë dhe nuk kanë votuar 80 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha kreu i PDK-së.
Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri e ka quajtur si tentim grusht-shteti, seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit, pavarësisht mungesës së kuorumit.
Ai ka thënë se kjo që ka ndodhur me këtë seancë, është shkelje serioze e rëndit kushtetues dhe rrezik i madh për demokracinë.
“Është një gabim i madh. Sot është bërë një shkelje e madhe kushtetuese. Ajo që sot kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentes ndërmori, është pa asnjë dyshim një goditje e rëndë që i është bërë rendit kushtetues, duke nisur një seancë plotësisht në kundërshtim me rregullat që janë mirë të përcaktuara”, ka thënë Tahiri, pas përfundimit të kësaj seance.
Ai ka thënë se ky akt ka shënuar një ndër shkeljet më të mëdha të Kushtetutës.
“Kjo situatë kaq serioze dhe kaq e rrrezikshme. Është Tentim grusht shteti. Për AAK ky akt shënon një ndër shkeljet më të mëdha kushtetuese, sulmi më i madh që i është bërë shtetit”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se si parti politike do t’i ndërmarrin të gjitha veprimet për të parandaluar skena të tilla.
Në të njëjtën linjë, deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, paralajmëroi protesta, duke e quajtur situatën “shkatërrim të rendit kushtetues” dhe duke theksuar se reagimi qytetar është i pashmangshëm.
“Protesta duhet të jetë e pashmangshme, pasi kjo që po ndodh në Kuvend është shkatërrim i rendit kushtetues që u ndërtua me mund e sakrificë shekullore”, shkruan ai.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ashpër, duke e cilësuar zhvillimin e votimit pa kuorum si “përmbysje të rendit kushtetues” dhe “abuzim të hapur me Kuvendin”.
Në komunikatën e saj, LDK ka paralajmëruar se për këtë veprim do të kërkohet përgjegjësi politike dhe institucionale.
“Nisja e procesit të votimit pa kuorum kushtetues përbën sabotim të drejtpërdrejtë të Kushtetutës dhe vetë shtetit. Ky është abuzim i hapur me Kuvendin e Kosovës, shkelje e rëndë e rendit kushtetues dhe përpjekje për të imponuar vullnet parapolitik. LDK-ja nënvizon fuqishëm se Republika nuk mund të merrret peng. Rendi kushtetutes nuk është i negociueshëm. Për aktin e sontëm do të ketë përgjegjësi politike, institucionale dhe nacionale”, thuhet në komunikatë.
Instituti Demokratik i Kosovës thotë se zgjedhja e presidentit pa kuorumin e nevojshëm cenon rendin kushtetues.
“Një veprim i tillë cenon drejtpërdrejt themelet e rendit kushtetues dhe funksionimin e demokracisë parlamentare në vend. Vendimet dhe praktika e Gjykatës Kushtetuese kanë sqaruar qartë standardin që duhet ndjekur, sipas së cilit përcaktohet që procedura e zgjedhjes së Presidentit kërkon pjesëmarrjen e së paku dy të tretave të të gjithë deputetëve në raundin e parë dhe të dytë të votimit, ndërsa vetëm pas përmbushjes së këtij kushti procedura vazhdon në raundin e tretë.
Çdo tentativë për ta anashkaluar këtë rend kushtetues dhe për të zgjedhur Presidentin me një numër të kufizuar deputetësh në sallë përbën shkelje të hapur të Kushtetutës dhe deformim të qëllimshëm të parimeve kushtetuese. Për më tepër, nuk ekziston asnjë bazë juridike që lejon uljen e kuorumit mbi bazën e pretendimeve për mungesën e deputetëve”, thuhet në reagim të KDI-së.
KDI vlerëson se kjo qasje krijon një precedent të rrezikshëm dhe hap rrugë për interpretime të njëanshme të rregullave kushtetuese.
“Prandaj, KDI u bën thirrje deputetëve që të respektojnë standardet kushtetuese dhe të shmangin veprime që thellojnë krizën institucionale. Po ashtu, atyre u bëjmë thirrje edhe që të ndalojnë çdo veprim që cenon rendin kushtetues dhe të rikthehen në respektimin e plotë të procedurave kushtetuese”, tha KDI./Paparaci









