Kelmendi: Osmani, kandidatja më konsensuale e VV-së

Gazetari dhe autori i emisionit “Rubikon”, Adriatik Kelmendi, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka kandidate më konsensuale për presidente sesa Vjosa Osmani.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka theksuar se këtë e dëshmojnë edhe rezultatet zgjedhore, duke kujtuar se në zgjedhjet e fundit kur Osmani ishte pjesë e listës së Vetëvendosjes, ajo ishte e dyta në listë, kandidate për presidente dhe njëherësh personi më i votuar në Kosovë.

“Pra, në zgjedhjet e 2011, Vjosa Osmani për LVV-në ishte si Glauk Konjufca sot, numër 2 në listë (edhe pse jo më i votuari në Kosovë)”, thotë Kelmendi.

“Kurti, që i ka 66 vota, po kërkon që të zgjedhet një President konsensual, që vendi mos të shkojë sërish në zgjedhje. Abdixhiku, që i ka 15 vota, iu përgjigj pozitivisht dhe propozoi Vjosa Osmanin. Presidenti zgjedhet me 80 vota. 66 + 15 bëjnë 81”, shkruan ndër të tjera gazetari.

Kelmendi thotë se nëse Kurti nuk dëshiron zgjedhje të reja, ai mund të sigurojë 66 vota për Vjosa Osmanin. Ndërsa, nëse nuk e bën këtë, sipas tij, kryeministri bart përgjegjësinë për shkuarjen sërish në kutitë e votimit.

“Nëse nuk e bën këtë, Kurti bart pergjegjësinë e shkuarjes në zgjedhje edhe një herë. Asnjë arsyetim tjetër nuk çon peshë”