Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se, pavarësisht deklaratave publike, deri më tani nuk është pranuar asnjë propozim zyrtar nga partitë opozitare lidhur me zgjidhjen e çështjes së presidentit.
Sipas saj, LVV ka hedhur një hap tutje për të tejkaluar ngërçin politik, duke hequr dorë nga pretendimi për këtë post dhe duke ftuar PDK-në dhe LDK0-në që të propozojnë tre kandidatë unifikues, jashtë skenës politike, me integritet dhe kontribut të dëshmuar.
Megjithatë, Nagavci theksoi se deri tani nuk ka pasur asnjë përgjigje konkrete në mënyrë zyrtare ndaj kësaj oferte.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! dje e bëri edhe një hap tutje për të mundësuar tejkalimin e ngërçit në zgjidhjen e presidentit, duke hequr dorë nga kjo pozitë dhe duke ftuar dy partitë më të mëdha opozitare që të vijnë me 3 propozime të kandidaturave unifikuese jashtë skenës politike, me integritet e kontribut të dëshmuar. Përtej deklaratave në media e rrjete sociale nga PDK e LDK, deri më tani, ne nuk kemi pranuar zyrtarisht asnjë propozim konkret karshi ofertës sonë për t’i dhënë vendit një president konsensual e unifikues. Për shkak të peshës së situatës dhe rëndësisë së afateve, ne mbesim në pritje të propozimeve konkrete edhe sonte, dhe i ftojmë edhe njëherë PDK-në e LDK-në që të kontribuojnë në tejkalimin e situatës me propozimin e 3 emrave, dhe t’i vënë në dispozicion nënshkrimet e të gjithë deputetëve të tyre dhe t’i japim fund krizës dhe t’i ofrojmë qytetarëve stabilitetin institucional që vendi e meriton”, shkruan Nagavci.









