Dy të arrestuar në Prizren për narkotikë, sekuestrohen drogë dhe para

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në veprën penale të narkotikëve në Prizren, në kuadër të operacionit “Stop Drogave 2026”.

Sipas Policisë, pas veprimeve operative janë lokalizuar dhe arrestuar të dyshuarit, ndërsa në konsultim me prokurorin kujdestar është realizuar kontroll në dy lokacione.

Gjatë kontrollit, siç thuhet, janë gjetur dhe konfiskuar 11 qese me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë 20.21 gram, dy qese plastike me mbetje kokaine, 1,785 euro dhe 2,000 lekë si dhe dy telefona mobil.

“Të dyshuarit janë intervistuar, dhe me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje. Policia e Kosovës mbetet e angazhuar seriozisht në luftën kundër veprave kriminale, në veçanti kundër abuzimit dhe shpërndarjes së narkotikëve dhe është e përkushtuar në garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët”, thotë PK.