Deputeti Fatos Geci ka kërkuar falje për gjuhën e përdorur para pak ditëve në Kuvendin e Kosovës.
Pas reagimeve të shumta për shkak të gjuhës së tij, Geci ka kërkuar falje për përdorimin e shprehjes ndaj deputetes Vlora Çitaku, si dhe për deklaratën e tij kundër Hashim Thaçit.
“Dua të shpreh keqardhjen time të sinqertë për mënyrën se si jam shprehur ndaj një deputeteje në Kuvend të Republikës së Kosovës. Shprehjet e përdorura nuk pasqyrojnë nivelin e komunikimit që përfaqësoj e besoj! Shpreh keqardhje që nuk arrita ta ruaj maturinë dhe ula nivelin e komunikimit në të sajin, i ndikuar nga provokimet dhe ofendimet që m’u bënë. Gjithashtu, dua të jem shumë i qartë në qëndrimet e mia të palëkundura ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Unë kam respekt dhe mirënjohje të thellë për UÇK-në, kontributi i saj është i pakrahasueshëm dhe i përjetshëm. Me respekt dhe nderim i kujtoj të gjithë ata që kanë rënë, por mbeten të gjallë në kujtesën dhe zemrën time”, thuhet në reagimin e tij.
Megjithatë, sa i përket UÇK-së, Geci ka thënë se nuk mund t’i mbështesë të gjithë indivitët që kanë qenë pjesë e UÇK-së, duke marrë si shkas komunikatën 59.
“Kjo nuk nënkupton që mund të mbështes individë të caktuar që, në rrethana të caktuara, kanë qenë të përfshirë në veprime që kanë prekur dhe rrezikuar drejtpërdrejt familjen time. Ata që kan vetëm pak njohuri per Komunikatën 59, i kuptojnë qëndrimet e mia. Nuk mund ta harroj frikën dhe pasigurinë për të dalë i qetë nga shtëpia dhe për t’u kthyer sërish i sigurt, duke i gjetur të gjallë prindërit dhe familjen time të madhe. Këto përvoja janë të thella dhe më bëjnë që, përtej respektit të përgjithshëm për luftën e pastër të UÇK-së dhe vlera të larta, të kem qëndrime të rezervuara ndaj individëve të caktuar. Këto përjetime formësojnë qëndrimet e mia”, ka thënë ai.









