“Analfabet, marre t’koftë”, djali i heroit Agim Ramadani i reagon ashpër deputetit Geci

Jeton Ramadani, djali i heroit të Kosovës Agim Ramadani, ka reaguar ashpër ndaj deputetit të Lëvizja Vetëvendosje, Fatos Geci, pas deklaratës së këtij të fundit lidhur me ish-presidentin Hashim Thaçi.

Reagimi i Ramadanit vjen pasi Geci kishte deklaruar se fati i Thaçit do të jetë i njëjtë me atë të Naim Murseli, i cili u dënua me burgim të përjetshëm.

Përmes një postimi në Facebook, Ramadani e ka quajtur “analfabet” deputetin Geci, duke e akuzuar për mungesë lidershipi dhe dinjiteti.

“Kjo nuk është lidership. Është degradim. Me kërku ‘burgim të përjetshëm’ për shqiptarë që kanë luftu për këtë vend – është mungesë klase dhe dinjiteti. Gëzimi për fatkeqësinë e shqiptarëve nuk është standard shtetëror”, ka shkruar Ramadani.

Ai shtoi se deklarata të tilla nuk përfaqësojnë vlera, por nxisin përçarje në shoqëri.

“Nuk përfaqëson vlera. Vetëm përçarje. Heshtja jote do të kishte më shumë peshë se fjalët e tua. Analfabet! Marre t’koftë çfarë mbiemri mban”, përfundon reagimi i tij.

Deklaratat e fundit kanë nxitur reagime të shumta në opinionin publik, duke thelluar debatet politike rreth zhvillimeve të fundit në vend.